Friday / November 27 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Europa

Franca hyn në recesion teknik pas rishikimit të të dhënave tremujore

Share Share Icon
Ekonomia franceze u tkurr më shumë nga sa ishte vlerësuar fillimisht në tremujorin e tretë, duke hyrë teknikisht në recesion, sipas të dhënave përfundimtare të publikuara të premten nga Instituti Kombëtar i Statistikave dhe Studimeve Ekonomike (INSEE).

Ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës u tkurr me 0.2% në tremujorin e tretë, krahasuar me tremujorin paraardhës, bëri të ditur INSEE, duke rishikuar në ulje vlerësimin fillestar, që parashikonte një tkurrje prej 0.1%.

INSEE rishikoi lehtësisht në ulje edhe të dhënat për tremujorin e dytë, duke raportuar një tkurrje prej 0.02%, nga stagnimi prej 0.0% i raportuar më parë, megjithëse për shkak të rrumbullakimit, treguesi kryesor vijon të rezultojë zero.

Kjo do të thotë se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) ka shënuar rënie në çdo tremujor që nga fundi i vitit të kaluar, duke e futur teknikisht Francën në recesion, të cilin ekonomistët përgjithësisht e përkufizojnë si dy tremujorë radhazi me tkurrje ekonomike.

Performanca më e dobët nga sa pritej në tremujorin e tretë vështirëson detyrën e qeverisë për të vënë nën kontroll deficitin buxhetor, duke e bërë pothuajse të paarritshëm objektivin e rritjes ekonomike vjetore prej 0.5% për këtë vit.

Qeveria e pakicës po përballet me vështirësi për miratimin e buxhetit të vitit 2027, i cili synon të ulë deficitin fiskal nga 5.4% e PBB-së këtë vit në 5.0% vitin e ardhshëm, në një parlament francez thellësisht të përçarë, vetëm pesë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale.

“Duhet të miratojmë sa më shpejt një buxhet, me një objektiv të panegociueshëm të deficitit prej 5%. Është e domosdoshme t’u rikthejmë aktorëve ekonomikë qartësinë dhe parashikueshmërinë”, deklaroi ministri i Financave, Roland Lescure, në reagim ndaj raportit të INSEE.

Të dhënat e detajuara të INSEE mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto në tremujorin e tretë treguan se dobësia ekonomike u shkaktua pjesërisht nga stagnimi i kërkesës së brendshme, ku rritja me 0.3% e shpenzimeve konsumatore u neutralizua nga rënia me 0.8% e investimeve të bizneseve.

Rimbushja e inventarëve të bizneseve kontribuoi me 0.3 pikë përqindjeje në rritjen e PBB-së, pasi reduktimi i tyre kishte dhënë një kontribut negativ prej 0.7 pikësh përqindjeje në tremujorin paraardhës.

Tregtia e jashtme ishte një nga faktorët kryesorë që rënduan mbi ekonominë, me një kontribut negativ prej 0.6 pikësh përqindjeje në PBB, pasi eksportet ranë me 1.6%, ndërsa importet u rritën me 0.1%.

Banka e Francës deklaroi më herët gjatë nëntorit se ekonomia pritet të shënojë një rritje “të moderuar” në tremujorin e katërt. / Reuters

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Norse Atlantic në prag të falimentimit, kompanitë e leasing-ut kërkojnë kthimin e të gjithë avionëve

Kompania ajrore norvegjeze Norse Atlantic Airways po përballet me rrezikun e falimentimit, pasi pronarët e të 12 avionëve të flotës së saj kanë ndë...

2 hours më parë 3 Min Lexim

BE-ja nuk arrin marrëveshje për buxhetin 1.7 trilionë euro, thellohen ndarjet mes vendeve anëtare

Liderët e Bashkimit Europian nuk arritën një marrëveshje për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të bllokut, pasi mosmarrëveshjet mbi nivelin e shpenz...

2 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!