Gazetat dhe mediat ndërkombëtare The Atlantic, Le Monde, Channel 5 News dhe Le Figaro i kanë dërguar SPAK kërkesa zyrtare për informacion dhe intervista lidhur me hetimet për transaksionet e pronave në Zvërnec dhe projektet e zhvillimeve luksoze në Sazan. Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, Prokuroria e Posaçme u është përgjigjur kërkesave duke sqaruar se hetimet ndodhen në fazën paraprake dhe se veprimet hetimore dhe rezultatet përbëjnë sekret hetimor.
The Atlantic njofton se po përgatit një artikull mbi zhvillimet e planifikuara në Zvërnec dhe Sazan dhe kishte kërkuar një intervistë me një prokuror të SPAK për të diskutuar punën e institucionit dhe prioritetet e tij në luftën kundër korrupsionit; SPAK i është përgjigjur se, për shkak të ngarkesës dhe angazhimeve institucionale, nuk mund të organizohej intervista në atë moment.
Le Monde ka kërkuar takim me prokurorin që merret me hetimin e pronave në zonën e Zvërnecit për të marrë informacion mbi çështjen. SPAK i është përgjigjur se, duke u mbështetur në nenet 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, veprimet dhe rezultatet e hetimeve janë sekret hetimor dhe se, përveç informacionit të publikuar në njoftimin për shtyp, “SPAK nuk ka asgjë tjetër për të shtuar në këtë fazë”.
Channel 5 News ka kërkuar një kopje të redaktuar të një aktakuze prej 200 faqesh dhe vendimeve për sekuestrimin e pasurive, nxjerrë në qershor 2026, në lidhje me shtetasin A.Sh., duke kërkuar dokumente të anonimizuara sipas ligjit për të drejtën e informimit. SPAK ka refuzuar të japë informacion shtesë duke i referuar konfidencialitetit të hetimeve në fazën paraprake.
Le Figaro ka bërë kërkesë të ngjashme, përfshirë edhe mundësinë e një bisede të shkurtër jashtë regjistrimit zyrtar, por ka marrë të njëjtën përgjigje se detaje të tjera nuk mund të bëhen publike përderisa hetimet janë në fazën paraprake.
Në të gjitha përgjigjet, SPAK i është referuar njoftimit për shtyp të datës 12 qershor 2026, ku u bë e ditur operacioni dhe masat e marra ndaj personave dhe pasurive të përfshira në hetim.
