Partia e Lirisë ka kritikuar buxhetin e vitit 2027, të miratuar një ditë më parë në Kuvend, duke e cilësuar të pamjaftueshëm financimin për arsimin. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja, renditi një sërë problematikash, nga kostoja e papërballueshme e jetesës për studentët te mësimi me dy turne, mungesa e laboratorëve dhe kushtet e universiteteve, ndërsa akuzoi mazhorancën se nuk pranoi asnjë amendament të opozitës.

Deklarata e Sekretares për Mardhëniet me Publikun, Znj. Arla Merja.

Të nderuar qytetarë!

Dje, pas më shumë se 14 orësh debati, shumica në Kuvend votoi buxhetin e vitit 2027.

Mbi 10 miliardë euro, një buxhet që në fillesë mashtrim, sepse kursi i këmbimit të euros është pikiatë. Por pas çdo shifre në buxhetin e vendit tonë qëndron një fëmijë që mëson në një klasë të ftohtë, një student që mezi përballon jetesën dhe një i ri që po mendon ta ndërtojë të ardhmen larg shtëpisë. Për ne, ky është buxheti i krimit dhe i padrejtësisë: një buxhet që u ktheu shpinën të rinjve dhe gjithë shqiptarëve.

Por sot nuk po flasim vetëm për shifra. Po flasim për një vajzë në Tiranë që mëson në turnin e dytë, sepse shkolla e saj nuk i ka kapacitetet ti përballojë nxënësit në një turn. Po flasim për një djalë nga Durrësi që studion larg familjes dhe nuk gjen një dhomë konvikti ku të flejë. Po flasim për një student që ka menduar të braktisë universitetin, sepse jeta i kushton më shumë se sa mund t'i japë familja.

Këto nuk janë histori të veçanta. Një student në Shqipëri ka nevojë mesatarisht për 602 euro në muaj për të jetuar, dhe 17% e tyre kanë menduar të ndërpresin studimet për arsye ekonomike. Në Universitetin e Tiranës kjo shifër arrin 25%. Edhe pse bursa për studentët nga familjet në ndihmë ekonomike po rritet nga 10.000 në 25.000 lekë, ajo mbetet larg kostos reale të jetesës. Ndërkohë, në sallat e universiteteve mungon ngrohja, mungojnë tualetet, dhe lagështia në mure është bërë normale. Këto janë faturat që buxheti i miratuar dje nuk i zgjidh.

Këto nuk janë shqetësime të ngritura nga ne, por problematika që rektorët dhe drejtuesit e universiteteve publike i shprehën hapur në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportin të Kuvendit, gjatë shqyrtimit të projektligjit për buxhetin e vitit 2027 më 19 nëntor 2026. Universiteti i Shkodrës, me 590 milionë lekë grant mësimdhënieje për vitin 2026, ka përdorur rreth 130 milionë lekë nga të ardhurat e veta vetëm për të paguar pagat.

Edhe Universiteti i Durrësit paralajmëron se granti i tij për 2027 rritet vetëm me 1 milion lekë krahasuar me vitin 2026. Universiteti i Elbasanit ende ka dy fakultete që punojnë në të njëjtat ambiente, ndërsa kërkon një godinë të re për të plotësuar standardet e akreditimit. Rektorët e Tiranës, nga Universiteti i Sporteve te ai i Arteve, kanë kërkuar rishikimin e pagave dhe motivimin e stafit akademik. Pak ditë më pas, buxheti kaloi në Kuvend pa u pranuar asnjë amendament i opozitës.

Në fakt, problemi nis që në bankat e para. 146 shkolla publike në Tiranë nuk përballojnë dot numrin e nxënësve. Në disa shkolla 9-vjeçare vijon mësimi me dy turne. Sipas KLSH 334 nga 1 356 shkolla nuk kanë psikolog apo punonjës social, dhe rreth 93 mijë fëmijë nuk marrin asnjë mbështetje psiko-sociale. Në disa zona rurale një punonjës mbulon 14 deri në 18 shkolla.

Në Troshan të Lezhës, 45 nxënës bojkotuan mësimin sepse nuk kishin transport drejt shkollës. Në Seniçan të Këlcyrës, një shkollë me 82 vite histori ka mbetur me tre nxënës. Në Grykë-Çajë të Kukësit, nxënësit zhvillojnë mësimin në klasa kolektive. Këta fëmijë nuk kanë faj që kanë lindur larg qytetit.

Edhe ata që zgjedhin shkollën profesionale po presin më shumë. Ata duan laboratorë, praktikë të vërtetë dhe një punë të mirëpaguar në fund. Të tjerët që mbeten në shkollën e mesme duan një laborator fizike apo kimie, një kompjuter dhe internet, dhe po aq një mësues matematike. Rezultatet e PISA na tregojnë se vetëm 50% e nxënësve arrijnë nivelin bazë në lexim, 55% në matematikë dhe 61% në shkencë. E megjithatë rezultatet mbeten nën mesataren e vendeve të OECD-së. Këta fëmijë nuk janë më pak të aftë se bashkëmoshatarët e tyre. Atyre u mungojnë mundësitë.

Shumë prej të rinjve tanë më të mirë po e kërkojnë të ardhmen jashtë vendit. Shqipëria shpenzon 0,3% të PBB-së për kërkim shkencor, kundrejt 2,24% në Bashkimin Europian. Edhe pse buxheti për kërkimin shkencor rritet në 2,27 miliardë lekë, rreth 500 milionë më shumë se vitin e kaluar, ai mbetet larg nevojave: në Universitetin e Durrësit, vetëm 5,5 milionë nga 64 milionë lekë të planifikuara për kërkim vijnë nga buxheti i shtetit. Madje Akademia e Shkencave kërkon 45 milionë lekë shtesë vetëm për të shpëtuar godinën e Institutit të Antropologjisë, ku ruhen materiale me vlerë kulturore, historike dhe gjuhësore. Një vend që nuk financon shkencën humbet profesorët dhe studentët më të mirë.

Ndërkohë, fëmijët janë të parët që e ndiejnë peshën e kohës sonë: koston e jetesës, prindërit që iu duhet të emigrojnë, shkollat e amortizuara. Shumë prej tyre nuk kanë mundësi të bëjnë art, kulturë apo sport, dhe kjo ua merr një pjesë të fëmijërisë.

Studentët që dalin në protestë nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë arsim cilësor, kushte dinjitoze dhe mundësi reale për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre. Të njëjtën gjë e përsëritën edhe institucionet e arsimit të lartë përpara deputetëve: më shumë financim për paga, laboratorë dhe infrastrukturë. Dje, në Kuvend, ky zë u përball me një mur votash.

Prandaj, Partia e Lirisë propozoi në Kuvend rritjen e buxhetit sipas zërave të veçantë, me shume buxhet për arsimin profesional, laboratorët dhe programin "Mësoj dhe Paguhem"; për arsimin universitar, bursat, konviktet dhe laboratorët; arsimin bazë, shkollat e mbingarkuara, psikologët dhe zonat rurale; për arsimin e mesëm, laboratorët, teknologjinë dhe mësuesit; për kërkimin shkencor; për projektet e fëmijëve në art, kulturë dhe sport.

Asnjë  amendament i opozitës nuk u pranua. Kjo është përgjigja që morën studentët, mësuesit, prindërit dhe rektorët:  Buxheti kaloi me forcën e kartonave të mazhorancës të ngritur nga deputetë anonim ndërsa kërkesat për shkollat, universitetet, laboratorët dhe shkencën mbetën jashtë.

Ky është ai që ne e quajmë buxheti i krimit, një buxhet i një shteti të kapur, që i flet me shifra rekord një vendi që po boshatiset. Mbi 10 miliardë euro, dhe prapë një student që mendon të braktisë universitetin. Mbi 10 miliardë euro, dhe prapë klasa të ftohta e turne të dyta. Mbi 10 miliardë euro, dhe prapë një brez që e ka çantën gati për të ikur.

Investimi tek fëmijët dhe të rinjtë nuk është shpenzim. Është premtimi që u japim se Shqipëria ka vend për ta. Dje, shumica vendosi ta rrëzojë këtë premtim.

Kur një shumicë i mbyll veshët në sallën e Kuvendit, fjala i kthehet qytetarit. Nesër, më 28 Nëntor, Ditën e Pavarësisë, jemi thirrur në protestën kombëtare në Tiranë. Pavarësia nuk është vetëm flamur, është e drejta e të rinjve për një të ardhme në atdheun e tyre. Prandaj ju bëj thirrje, studentë, prindër, mësues, të rinj dhe qytetarë: dilni nesër në Tiranë, për një arsim me dinjitet, për universitete pa lagështi dhe pa turne të dyta, për një Shqipëri ku të rinjtë qëndrojnë sepse duan, jo largohen sepse detyrohen.

Jo buxhetit të krimit! Jo emigrimit të detyruar! Të rinjtë janë e ardhmja jonë. Nesër, të gjithë në Tiranë!

Faleminderit!"