Nga Dr Arben Ramkaj
“Energjia ka qenë gjithmonë një armë.”
Fatih Birol, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, 2026.
Një nga betejat përcaktuese të këtij shekulli po zhvillohet për kontrollin e burimeve energjetike, të korridoreve të transportit dhe të tregjeve të konsumit. Lufta në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme po përshpejtojnë një riorganizim të ekonomisë botërore, në të cilin pozicioni i shteteve në rrjetet ndërkombëtare të energjisë do të ndikojë ndjeshëm në peshën e tyre politike dhe ekonomike. Rregullat e këtij rendi ende po negociohen, por marrëveshjet që nënshkruhen sot dhe infrastruktura që ndërtohet mund të përcaktojnë marrëdhëniet ndërmjet kombeve për disa dekada. Pikërisht në këtë periudhë tranzicioni duhet kërkuar mundësia historike e Shqipërisë.
Sulmi ukrainas ndaj një anijeje luftarake ruse në Bengazi të Libisë dhe pretendimet për përdorimin e territorit shqiptar, të mohuara kategorikisht nga Ministria e Jashtme më 23 nëntor 2026, nuk duket se nxitën ndonjë debat të mirëfilltë strategjik ndërmjet elitave shqiptare. Debatet e brendshme politike, të natyrshme për një shoqëri demokratike, kanë marrë përmasat e një konsumi intelektual që rrezikon të paralizojë aftësinë mendimprodhuese të elitave tona. Ndërkohë që vëmendja publike mbetet e përqendruar tek aktualiteti i ditës, pranë brigjeve shqiptare po negociohen interesa ekonomike që mund të përcaktojnë prosperitetin e kombeve për breza të tërë.
Vetëm një muaj përpara incidentit në Bengazi, më 20 tetor 2026, parlamenti i Libisë Lindore ratifikoi marrëveshjen për juridiksionet detare ndërmjet Turqisë dhe Libisë, të nënshkruar fillimisht në vitin 2019. Krahas kundërshtimeve të Greqisë, Egjiptit, Qipros dhe Izraelit, edhe Shqipëria iu bashkua deklaratës së Bashkimit Europian, sipas së cilës marrëveshja cenon të drejtat sovrane të vendeve të treta, një interpretim që kundërshtohet nga Ankaraja. Përtej harmonizimit të politikës sonë të jashtme me atë europiane, mbetet shumë më pak i artikuluar interesi ekonomik që Shqipëria synon të realizojë në Mesdhe.
Turqia, përtej ambicies për t’u konsoliduar si nyje energjetike ndërmjet Azisë, Afrikës Veriore dhe Europës, po demonstron aftësinë për të krijuar mundësi strategjike atje ku më parë dukeshin politikisht të pamundura. Afrimi me autoritetet e Libisë Lindore, dikur kundërshtarë të Ankarasë, ndërlikon kalkulimet energjetike të Izraelit dhe ndryshon dinamikën e konkurrencës mesdhetare. Ndërkohë, Egjipti kërkon të ruajë rolin e tij në përpunimin dhe eksportimin e gazit, Greqia po ndërton kapacitete furnizimi që tejkalojnë nevojat e konsumit të brendshëm, ndërsa Italia po zgjeron partneritetet me vendet prodhuese të Afrikës Veriore. Përvoja e këtyre vendeve tregon se rëndësia ekonomike e gjeografisë përcaktohet në një masë të madhe nga aftësia diplomatike për ta shfrytëzuar atë.
E pozicionuar ndërmjet Adriatikut dhe Jonit, përballë tregut italian dhe në hyrje të ekonomive të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria disponon një avantazh që mund të zhvlerësohet nëse korridoret energjetike ndërtohen duke e anashkaluar. Projekti EastMed-Poseidon, itinerari kryesor i të cilit nuk përfshin territorin shqiptar, është ilustrues në këtë drejtim. Plani Dhjetëvjeçar i ALBGAZ-it 2026 deri në 2035 identifikon një alternativë për lidhjen e tij me TAP-in përmes Shqipërisë, ende në fazën e studimit paraprak. Megjithatë, interesi shqiptar shkon përtej këtij projekti. Diplomacia jonë duhet të identifikojë mundësitë e përfitimit nga çdo nismë e rëndësishme energjetike mesdhetare, përpara se të përcaktohen konsorciumet, financimet dhe kontratat afatgjata, qoftë edhe nëpërmjet pjesëmarrjes në kapital apo ofrimit të shërbimeve energjetike.
Brenda kësaj perspektive merr rëndësi edhe delimitimi i hapësirave detare me Greqinë, për të cilin në vitin 2020 u arrit dakordësia politike për referimin e çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Të drejtat sovrane mbi burimet natyrore të shelfit kontinental dhe siguria juridike e investimeve detare kërkojnë ekspertizë që ndërthur diplomacinë, të drejtën ndërkombëtare, gjeologjinë dhe ekonominë energjetike. Pasojat ekonomike të vendimeve të sotme mund të shtrihen përtej disa brezave, veçanërisht në kushtet e zhvillimit të teknologjive për shfrytëzimin e burimeve detare.
Ndërsa këto çështje mbeten pjesë e agjendës diplomatike, shkëputja graduale e Europës nga varësia energjetike ndaj Rusisë po krijon një konkurrencë të re për gazin natyror të lëngshëm amerikan. Nëpërmjet terminaleve të Revithoussa-s dhe Aleksandrupolit, Greqia po ndërton marrëdhënie ekonomike afatgjata me vendet e Europës Juglindore. Më 25 shkurt 2026, Departamenti amerikan i Energjisë mblodhi përfaqësuesit e Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Moldavisë, Ukrainës dhe Komisionit Europian për zhvillimin e Korridorit Vertikal të Gazit. Shqipëria nuk ishte e përfaqësuar në atë takim.
Partneriteti strategjik shqiptaro-amerikan mund të marrë një përmbajtje shumë më të gjerë ekonomike nëpërmjet terminalit të projektuar të gazit të lëngshëm në Vlorë, integrimit me TAP-in, Gazsjellësit Jonian-Adriatik dhe depozitimit nëntokësor të gazit në Dumre. Sipas njërit prej skenarëve të ALBGAZ-it, vëllimi i gazit të transmetuar për eksport mund të arrijë në 2,64 miliardë metra kub në vitin 2035, ndërsa skenari financiar bazë parashikon rreth 530 milionë euro të ardhura të operatorit gjatë periudhës 2026 deri në 2044. Megjithëse të kushtëzuara nga investimet dhe kontratat tregtare, këto parashikime ilustrojnë mundësinë e gjenerimit të të ardhurave nga transmetimi, rezervimi i kapaciteteve, rigazifikimi dhe depozitimi, prej të cilave shteti mund të përfitojë nëpërmjet tatimeve dhe dividendëve.
Rëndësia e kësaj perspektive kuptohet më mirë në kontekstin e krizës energjetike të vitit 2026, kur, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, çmimet në tregun europian TTF të gazit u rritën me afro 70 për qind gjatë periudhës mars deri në tetor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pasiguria e furnizimit rrit vlerën ekonomike të korridoreve alternative dhe kapaciteteve depozituese, duke krijuar mundësi zhvillimi edhe për shtetet që nuk zotërojnë rezerva të mëdha hidrokarburesh.
Në këto kushte, marrëdhëniet e Shqipërisë me fuqitë energjetike botërore, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Arabia Saudite te Azerbajxhani, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Algjeria, mund të marrin një përmbajtje të re. Interesat e prodhuesve për sigurimin e tregjeve, kapitali i fondeve sovrane dhe nevoja europiane për diversifikim krijojnë hapësirë për negociata që ndërthurin furnizimin me energji, financimin e infrastrukturës dhe zhvillimin industrial. Shqipërisë i mungon pikërisht ky agresivitet diplomatik në kuptimin ekonomik të fjalës: iniciativa për të hyrë në konkurrencën ndërkombëtare përpara se mundësitë të jenë konsumuar.
Një orientim i tillë do të zgjeronte edhe konceptin shqiptar të sigurisë kombëtare. Aty ku prodhohet, transmetohet dhe tregtohet energjia krijohen ndërvarësi ekonomike, të cilat, kur mbështeten mbi diversifikimin e furnizimit dhe mbrojtjen e infrastrukturës, prodhojnë interesa të përbashkëta sigurie. Marrëveshja ndërmjet Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e nënshkruar më 15 janar 2025 në Abu Dhabi për energjinë e rinovueshme dhe ndërlidhjen elektrike nënujore në Adriatik, përfaqëson një shembull konkret të bashkimit të kapitalit ndërkombëtar me gjeografinë shqiptare dhe kërkesën e tregut europian.
Realizimi i këtij vizioni kërkon edhe një rishikim të filozofisë së investimeve strategjike. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, pasuritë e paluajtshme përthithën rreth 43 për qind të investimeve të huaja direkte në Shqipëri, ndërsa energjia vetëm 9 për qind. Pa nënvlerësuar kontributin e turizmit dhe ndërtimit, orientimi i kapitalit drejt energjisë dhe industrisë mund të krijojë një bazë më të qëndrueshme prodhuese, eksporte, punësim të kualifikuar dhe të ardhura publike afatgjata. Vlera e bregdetit shqiptar duhet të matet edhe me funksionin që ai mund të kryejë në ekonominë europiane, përtej çmimit të metrit katror.
Përballë përmasave të këtij transformimi, dokumenti prej 70 faqesh i ALBGAZ-it përbën një bazë teknike të dobishme, por nuk mund të mbajë i vetëm peshën e ambicies gjeoekonomike të një shteti mesdhetar. Shqipërisë i nevojitet një vizion kombëtar deri në vitin 2035, që integron diplomacinë, energjinë, politikën industriale dhe financat publike, duke përzgjedhur investime rentabël dhe të qëndrueshme përballë tranzicionit energjetik europian.
Ndërsa shtetet e tjera negociojnë interesat e tyre për dekadat e ardhshme, Shqipëria nuk mund të vazhdojë ta konsumojë energjinë e saj intelektuale në një luftë të brendshme politike, shpesh të kushtëzuar nga mentalitete bajraktare dhe horizonte të ngushta pushteti. Përgjegjësia historike e elitave tona qëndron edhe në aftësinë për të krijuar pasuri kombëtare përtej kohës së tyre politike.
Shqipëria nuk disponon rezervat natyrore të Norvegjisë, por mund të përvetësojë filozofinë e saj të administrimit të pasurisë kombëtare, duke kapitalizuar një pjesë të të ardhurave publike neto nga investimet energjetike në një fond sovran, të administruar me transparencë dhe të mbrojtur nga interesat e momentit. Në këtë mënyrë, pozicioni gjeografik që kemi trashëguar mund të shndërrohet në pasurinë ekonomike që do t’u trashëgojmë qytetarëve që ende nuk kanë lindur.
Energjia mund të jetë fondi sovran i Shqipërisë për brezat e ardhshëm.
Dr. Arben Ramkaj është ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i sigurisë, si dhe drejtues i Departamentit të Marrëdhënieve me Lindjen e Mesme.
