Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli të paligjshëm përjashtimin e tij dhe të deputetit Klevis Balliu nga punimet e Kuvendit.
Në një reagim, Bardhi e cilësoi ndalimin e deputetëve të opozitës për të marrë pjesë në seancat parlamentare si një akt arbitrar dhe shkelje të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se pengimi i përfaqësuesve të zgjedhur për të ushtruar të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre kushtetuese përbën një shkelje që nuk mund të justifikohet.
Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se synon të krijojë një Kuvend pa opozitë dhe një pushtet pa zë kritik, duke e krahasuar mënyrën e qeverisjes me mentalitetin e partisë-shtet.
“Projekti politik i Edi Ramës duket se është një Kuvend pa opozitë, një pushtet pa zë kritik dhe një Shqipëri e nënshtruar ndaj vullnetit të një njeriu të vetëm. Por demokracia nuk është pronë e kryeministrit dhe Kuvendi nuk është oborri i tij personal!”, deklaroi Bardhi.
Ai u ndal edhe te tre personat që, sipas tij, firmosën vendimin për pengimin e deputetëve të opozitës, Ulsi Manja, Arkend Balla dhe Saimir Hasalla. Bardhi paralajmëroi se ata do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre përpara drejtësisë.
“Ulsi Manja, Arkend Balla dhe Saimir Hasalla, tre firmëtarët e vendimit për pengimin e paligjshëm të deputetëve të opozitës, duhet ta kuptojnë se firmat dhe veprimet e tyre nuk i vendosin mbi ligjin. Përgjegjësia për çdo shkelje të ligjit dhe çdo shpërdorim të detyrës do të hetohet dhe do të marrë përgjigjen që meriton përpara drejtësisë”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PD-së.
Në vijim, Bardhi theksoi se opozita nuk do të tërhiqet nga përfaqësimi i qytetarëve dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të shërbejë si sinjal se askush nuk mund të vendoset mbi ligjin.
Ai e përfundoi reagimin duke përsëritur se Kuvendi i Shqipërisë nuk është pronë e kryeministrit dhe se demokracia nuk mund të vihet në shërbim të pushtetit të tij.