Riviera shqiptare mes destinacioneve që turistët këshillohen të shmangin në 2027

Ndërsa fundi i vitit shoqërohet tradicionalisht me publikimin e listave të destinacioneve më të rekomanduara për udhëtime, prej gati një dekade Fodor’s Travel ndjek një qasje të ndryshme, duke identifikuar vendet ku fluksi i lartë i turistëve po ushtron presion mbi komunitetet lokale dhe burimet natyrore, shkruan Time Out.
Në listën e vitit 2027, krahas Rivierës shqiptare, përfshihen destinacione të njohura ndërkombëtare, si Bregdeti i Amalfit në Itali, Edinburgu në Skoci, Bali në Indonezi dhe Kioto në Japoni.
Sipas Fodor’s Travel, Riviera shqiptare po përjeton një zhvillim masiv të strukturave hoteliere përgjatë vijës bregdetare, për të përballuar fluksin e turistëve gjatë sezonit veror. Ndërkohë, ndërtimi i resorteve luksoze në zona me pasuri të mëdha natyrore po ngre shqetësime për urbanizimin dhe dëmtimin e ekosistemeve.
Shqipëria ishte përfshirë edhe në fund të vitit 2025 në listën e Time Out për destinacionet në zhvillim më të rrezikuara nga turizmi masiv.
Asokohe, Elton Caushi, themelues i operatorit turistik Albanian Trip, rekomandonte vizitat jashtë sezonit të pikut dhe qëndrimin në qyteza më të qeta e zona rurale.
Problemet e turizmit masiv
Në Edinburg, Fodor’s Travel evidenton mungesën e banesave, rritjen e kostos së jetesës dhe transformimin rrënjësor të lagjeve, që po përshtaten gjithnjë e më shumë me nevojat e turistëve, në kurriz të banorëve vendas.
Qyteti prezantoi gjatë verës së vitit 2026 një taksë turistike, të parën e këtij lloji në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, sipas Fodor’s Travel, vendosja e një takse nuk redukton automatikisht numrin e vizitorëve dhe as nuk parandalon mbipopullimin e qendrës historike.
Bali, që ishte përfshirë edhe në listën e vitit 2025, është rikthyer në renditjen e vitit 2027. Menaxhimi i mbetjeve dhe ndotja janë shndërruar në probleme serioze për ishullin indonezian, duke cenuar imazhin e tij si një destinacion parajsor.
Tetë destinacionet që turistët këshillohen të shmangin në vitin 2027, sipas Fodor’s Travel:
Riviera shqiptare, Shqipëri
Bregdeti i Amalfit, Itali
Bali, Indonezi
Korsika, Francë
Edinburgu, Skoci
Kioto, Japoni
Ngorongoro, Tanzani
Sedona, SHBA
/ Time Out
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









