Udhëheqësit e BE-së po përgatiten për një përplasje lidhur me ndihmën financiare afatgjatë për Ukrainën, në një kohë kur po bëhen përpjekje për të përmbyllur negociatat thelbësore për buxhetin brenda fundit të vitit. Me të mbërritur në Bruksel, kancelari gjerman, Friedrich Merz, përsëriti qëndrimin e tij se të gjitha shtetet anëtare të BE-së duhet të mbështesin një kredi prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën për vitin 2027. "Kur Bashkimi Evropian ofron financim, ai e bën këtë si Bashkim Evropian, dhe ky bashkim përbëhet nga 27 shtete anëtare, jo nga 23 apo 24," tha ai. Merz më herët ka kërcënuar se do të vendosë veto ndaj buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar të bllokut, nëse të gjitha vendet nuk bien dakord për kredinë për Ukrainën. Një gjë e tillë do të ishte një rezultat i dhimbshëm për shtetet anëtare që janë përfituese neto të fondeve të BE-së. Sllovakia, Hungaria dhe Çekia, të cilat janë përfituese, kërkojnë të mos marrin pjesë në këtë kredi. Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, i cili ka ruajtur lidhje të ngushta me Kremlinin, e ka akuzuar Merzin për shantazh. Nga ana tjetër, Gjermania po përpiqet të mbrojë financimin e ardhshëm të BE-së për Ukrainën nga një fitore e mundshme e Marine Le Pen në zgjedhjet presidenciale franceze të vitit të ardhshëm. Udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë "Tubimi Kombëtar", e cila kryeson në sondazhe, është zotuar se do t'i japë fund ndihmës financiare franceze për Ukrainën. Berlini dëshiron të sigurojë që vendimet e ardhshme për financimin e Kievit përmes buxhetit të BE-së të merren me shumicë votash nga shtetet anëtare, e jo me unanimitet. Sistemi aktual kërkon konsensus, çka i mundëson çdo vendi të vendosë veto ndaj një vendimi. Në një zhvillim më premtues për Kievin, Bullgaria, e cila më parë kishte qenë kundër kredisë, deklaroi të enjten se është e gatshme të kontribuojë, me kusht që pjesa e saj të mos lidhet me armatimet. Megjithatë, qëndrimi i Merz-it ka gjetur mbështetje të gjerë, veçanërisht midis shteteve të Evropës Perëndimore, atyre nordike dhe atyre baltike.