Një aksident i rëndë me përfshirjen e 37 automjeteve ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në Zvicër, duke lënë të plagosur 10 persona.
Përplasja zinxhir ndodhi rreth orës 05:45 në autostradën A1, pranë Kemptthal. Sipas mediave zvicerane, në aksident u përfshinë 23 automjete, 8 kamionë dhe 6 furgonë. Nga 10 personat e plagosur, gjashtë kanë marrë lëndime të lehta, ndërsa katër të tjerë kanë pësuar dëmtime të shkallës së mesme.
Shkaqet e sakta të aksidentit mbeten ende të paqarta. Policia zvicerane bën me dije se kushtet e vështira dimërore në rrugë mund të kenë ndikuar në përplasjet e njëpasnjëshme.
Për shkak të përmasave të përplasjes, autostrada A1 në drejtim të St. Gallenit u mbyll plotësisht në segmentin e prekur. Në zonë u krijuan kolona të gjata automjetesh, ndërsa ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve dhe për të larguar mjetet e dëmtuara.
Sipas autoriteteve, një person është nxjerrë nga automjeti nga zjarrfikësit. Puna për pastrimin e rrugës dhe hetimin e rrethanave të aksidentit vijon.












