E premte, 27 nëntor 2026 · Tiranë Facebook
Kronikë

Vrasje me porosi nga Shkodra në Tiranë, Piroli dhe Ymeri ekzekutorë me pagesë; si i nxori zbuluar bashkëpunëtori

Vinçesk Piroli dhe Kristian Ymeri dyshohen për përfshirje në pesë vrasje në Shkodër dhe Tiranë, të kryera kundrejt pagesës për llogari të grupeve kriminale. Dëshmia e një bashkëpunëtori ka zgjeruar hetimet ndaj dy personave, ndërsa dosja mund të kalojë për kompetencë të SPAK-ut.

Vinçesk Piroli dhe Kristian Ymeri (Shkambi), ndaj të cilëve Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për vrasjen e ish-policit Frrok Lleshaj, dyshohet se kanë lidhje edhe me katër vrasje të tjera kundrejt pagesës.

Hetuesit kanë siguruar dëshminë e një bashkëpunëtori, të cilën e kanë kryqëzuar me të dhënat e mbledhura gjatë hetimeve për vrasjen e ish-efektivit të policisë, më 4 gusht 2025, në fshatin Paçram të Vaut të Dejës.

Krahas kësaj ngjarjeje, grupi hetimor dyshon se Piroli dhe Ymeri kanë kryer edhe një tjetër vrasje në qytetin e Shkodrës kundrejt pagesës. Tri ngjarjet e tjera kriminale, për të cilat autoritetet po analizojnë provat, dyshohet se kanë ndodhur në Tiranë.

Plani për ekzekutimin e Erjon Tucit

Policia e Lezhës arrestoi Vinçesk Pirolin, Kristian Ymerin dhe Elden Tarjan më 11 tetor 2026, në kuadër të operacionit të koduar “Detajet”, për krijimin e kushteve për të kryer vrasje. Hetuesit dyshojnë se tre personat kishin në shënjestër Erjon Tucin, emri i të cilit lidhet me çështjen e trafikimit të 18 tonëve kokainë që autoritetet sekuestruan në Astakos të Greqisë.

Atentatin ndaj Tucit dyshohet se e kishin planifikuar për motive hakmarrjeje, pas vrasjes së një shqiptari që vuante dënimin me burgim të përjetshëm në një burg të sigurisë së lartë në Greqi. Gjatë operacionit të 11 tetorit, policia sekuestroi armë zjarri, municion luftarak dhe një motomjet të vjedhur në Suedi.

Më 19 nëntor, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ndryshoi masën e sigurisë ndaj Vinçesk Pirolit nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.

Vetëm pak ditë pas këtij vendimi, Gjykata e Shkodrës caktoi një masë të re sigurie ndaj Pirolit, këtë herë për vrasjen e ish-policit Frrok Lleshaj. Kristian Ymerit, ndërkohë, autoritetet ia komunikuan masën e re të sigurisë në burg.

Rrëfimi i bashkëpunëtorit dhe vrasja e ish-policit

Frrok Lleshaj, 65 vjeç, humbi jetën më 4 gusht 2025, në fshatin Paçram të Vaut të Dejës. Një nga pistat kryesore që grupi hetimor ka ndjekur për zbardhjen e ngjarjes është ajo e gjakmarrjes.

Më shumë se një vit pas vrasjes, dëshmia e bashkëpunëtorit dhe të dhënat e tjera që kanë siguruar hetuesit kanë çuar në identifikimin e Pirolit dhe Ymerit si autorë të dyshuar të ngjarjes.

Në bazë të provave që prokuroria i paraqiti gjykatës, kjo e fundit caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj dy personave për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Dosja mund të kalojë në SPAK

Të dhënat se Vinçesk Piroli dhe Kristian Ymeri mund të kenë vepruar kundrejt pagesës për llogari të disa grupeve kriminale pritet të përcaktojnë edhe kompetencën për vijimin e hetimeve.

Nëse hetuesit dokumentojnë lidhjet e dy personave me grupet e strukturuara kriminale, dosja penale mund të kalojë për kompetencë të Prokurorisë së Posaçme.

Të fundit

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *