Fest 65 ku muzika bashkon identitete të ndryshme/Një festival shumë zëra dhe emocione ku pas çdo këngë fshihet një histori

Festivali | 5 minuta më parë

Edhe pse i bashkon e njëjta skenë dhe e njëjta garë muzikore, ajo që sjell secili prej artistëve është krejt personale. Zëra, stile, identitete dhe mënyra të ndryshme interpretimi po bëhen bashkë në këtë edicion jubilar të Festivalit të Këngës, duke dëshmuar edhe një herë se muzika nuk ka vetëm një gjuhë, por shumë mënyra për të komunikuar me publikun.

Në provat me orkestrën, artistët po punojnë për t’i dhënë secilit krijim ngjyrën dhe dimensionin e vet. Përtej notave dhe tekstit, është pikërisht interpretimi ai që e bën një këngë të veçantë. Çdo detaj ka rëndësinë e tij, që nga mënyra se si këngëtari përcjell emocionin, te ndërthurja e zërit me orkestrimin dhe ndërtimi i atmosferës që dëshiron të krijojë në skenë.

“Provën e parë e pata me pak emocione, pasi doja të shihja pak a shumë se si do të shkonte dhe si do të ishte gjithçka. Sigurisht, versioni në studio është paksa ndryshe nga ai me orkestrën dhe u surprizova. Gjithçka shkoi mirë. Jam e sigurt se çdo gjë do të përmirësohet, si unë me orkestrën, ashtu edhe orkestra me mua.”

“Ka më shumë se 10 vite që rikthehem në festival. Mendoj se është një këngë e bukur dhe uroj që publiku ta pëlqejë. Gjithashtu, uroj të kënaqem në skenë dhe ta shijoj, ashtu siç e kam menduar, sepse dua ta shijoj festivalin si gjithmonë, sa herë që marr pjesë dhe rikthehem në të”

“Ishte hera e parë që e dëgjoja këngën në versionin orkestral dhe, sigurisht, është shumë ndryshe nga ajo që kam dëgjuar deri më tani në studio. Shkoi shumë mirë dhe jam vërtet shumë e emocionuar të shoh se si do të arrijmë ta sjellim në Pallatin e Kongreseve.”

“Prova shkoi shumë mirë, si gjithmonë. Emocione kisha vetëm për faktin se, pas 11 vitesh mungesë në festival, ndieja emocionin se si do të përballesha tashmë me të gjithë kastin e instrumentistëve. Por ata janë të mrekullueshëm dhe të falin shumë qetësi. Edhe për mua nuk ishte fare problem, pasi emocioni iku sapo u futa aty. Megjithatë, duke qenë se kënga është goxha impenjative, ka ende nevojë për studim, por besoj se deri në dhjetor gjithçka do të shkojë mirë.”

Në këtë edicion jubilar, larmia muzikore mbetet një prej elementeve që i japin karakter festivalit. Krijimet e artistëve sjellin histori të ndryshme, përjetime personale, emocione dhe mesazhe që pasqyrojnë botën e tyre artistike.

Disa zgjedhin të shprehen përmes baladave dhe interpretimeve të ndjera, të tjerë përmes ritmeve, energjisë dhe tingujve bashkëkohorë. Por të gjithë kanë një qëllim të përbashkët: të përcjellin përmes muzikës diçka që i përfaqëson dhe që shpresojnë të prekë edhe publikun. Festivali i 65-të i Këngës po afron dhe bashkë me të, edhe momenti kur këto histori do të marrin jetë para publikut.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme