Një depozitë uji me kapacitet 5 tonë është rrëzuar nga tarraca e një pallati 8-katësh në lagjen “Apollonia” të qytetit të Fierit, si pasojë e erës së fortë gjatë mbrëmjes së djeshme.
Depozita ka përfunduar në pjesën e jashtme të pallatit, duke krijuar rrezik për banorët dhe kalimtarët e zonës. Fatmirësisht, në momentin e ngjarjes nuk ka pasur asnjë person në afërsi, duke shmangur kështu pasoja të mundshme në njerëz.
Pas konstatimit të situatës, Policia Bashkiake ka nisur monitorimin e zonës dhe po koordinon punën me Ndërmarrjen e Gjelbërimit dhe Parqeve pranë Bashkisë Fier për ndërhyrjen dhe largimin e depozitës.
Ngjarja rikthen vëmendjen te rreziku që paraqesin objektet e vendosura në taracat e pallateve, veçanërisht gjatë kushteve atmosferike me erëra të forta.
© SYRI.net