Shtetësia serbe e dhënë djalit të liderit çeçen Ramzan Kadyrov riktheu vëmendjen te praktika e Beogradit për pajisjen me pasaporta të personave të lidhur me regjimin rus. Një investigim i përmendur nga Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) tregon se të paktën 200 shtetas rusë kanë marrë dokumente serbe që nga viti 2022.
Mes personave të përmendur është Ali Ramzanoviq Musajev, djali i Kadyrovit, i cili ka marrë shtetësinë me arsyetimin e “shërbimeve të jashtëzakonshme” ndaj Serbisë. Vendimi për shtetësi, sipas raportimit, u nënshkrua në korrik të vitit të kaluar nga kryeministri në largim, Gjuro Macut. Mbiemri i tij rezulton i ndryshuar nga Kadyrov në Musajev. Rasti u bë publik nga fondacioni i drejtuar më parë nga opozitari rus Alexei Navalny, ndërsa informacioni u konfirmua edhe nga mediat serbe.
Fondacioni raportonte se Ali Musajev nuk ishte incident i izoluar: që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në 2022, dhjetëra persona të lidhur me elitën politike dhe ekonomike ruse, si dhe familjarë të tyre, dyshohet se kanë përfituar shtetësinë serbe. Në listë përmenden të afërm të oligarkëve çeçenë, anëtarë të partisë së Putinit “Rusia e Bashkuar”, zyrtarë të Gazprom Bank dhe përfaqësues të industrisë ushtarake ruse.
Në prill u zbulua se edhe një tjetër i afërm i Kadyrovit kishte marrë shtetësi serbe në rrethana të ngjashme. Pas kritikave publike, autoritetet serbe anuluan atë vendim, duke iu referuar ligjit që lejon heqjen e shtetësisë në rast se personi përbën rrezik për sigurinë publike. FAZ vë në dyshim këtë shpjegim, duke ngrënë pyetjen sesi një person që fillimisht vlerësohej për “merita të jashtëzakonshme” ndaj Serbisë mund të konsiderohet rrezik për sigurinë vetëm pak ditë më vonë.
Raporti i FAZ dhe dokumentet e publikuara nga fondacioni i Navalnyt, përveç konfirmimeve nga mediat serbe, nxjerrin në pah një praktikë të përhapur të pajisjes me shtetësi që prek figura të lidhura me Moskën dhe elitat e saj politike dhe ekonomike.
