Sulm kibernetik ndaj Forcave Ajrore amerikane/ Hakerat depërtojnë në platformën që menaxhon edhe të dhënat për raketat dhe bombat Një 33-vjeçar britanik me autizëm ndodhet prej më shumë se një muaji në një burg në Turqi, pasi u arrestua në aeroportin e Stambollit me 15 kilogramë kanabis në valixhen e tij.
Familja e tij pretendon se ai është shfrytëzuar nga një grup kriminal, i cili e ka mashtruar duke i premtuar një udhëtim falas në Tajlandë.
Bëhet fjalë për Louis Malletier, nga Ealing në Britani, i cili, sipas familjes, ka një nivel zhvillimi mendor të krahasuar me atë të një fëmije 8-vjeçar dhe nuk ka qenë në gjendje të kuptojë se çfarë po transportonte.
Sipas rrëfimit të vëllait të tij binjak, Conor Colegate, gjithçka nisi më 16 shtator, gjatë një aktiviteti për hapjen e një restoranti Popeyes në Islington. Aty një person iu afrua Malletier dhe i propozoi të merrte pjesë në një konkurs, ku çmimi ishte një udhëtim falas në Tajlandë.
Pas disa ditësh, 33-vjeçari mori një telefonatë ku iu komunikua se kishte fituar udhëtimin. Ai mori biletat dhe u nis drejt asaj që mendonte se do të ishte pushimi i tij i ëndrrave.
Por, kur mbërriti në Azinë Juglindore, një person i panjohur i dha një valixhe rozë dhe i tha se plani kishte ndryshuar. Sipas familjes, atij iu komunikua se do të udhëtonte drejt Malagës në Spanjë, me një ndalesë në Turqi.
Malletier pranoi valixhen pa e ditur se çfarë kishte brenda dhe vazhdoi udhëtimin. Megjithatë, në aeroportin e Stambollit, policia zbuloi 15 kilogramë kanabis në bagazhin e regjistruar në emrin e tij, me një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 250 mijë paundësh.
Që prej arrestimit, ai mbahet në burgun Maltepe në Turqi. Vëllai i tij pretendon se gjendja e tij është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të kushteve të vështira, bullizmit dhe dhunës nga të burgosurit e tjerë.
Sipas tij, Malletier ndan qelinë me rreth 70 persona dhe është përballur me sulme fizike, ndërsa në një rast, një nga të burgosurit i ka thyer hundën. Familja ngre gjithashtu shqetësime për ushqimin, kushtet e fjetjes dhe mungesën e medikamenteve që ai merrte çdo ditë.
“Unë po i bëj thirrje Ed Milibandit dhe Andy Burnhamit të mbrojnë një nga njerëzit më të cenueshëm të Britanisë dhe ta kthejnë atë në shtëpi në mënyrë të sigurt”, deklaroi vëllai i tij për Daily Mail.
Familja ka angazhuar një avokat në Turqi, i cili po kërkon një vlerësim psikiatrik dhe mjekoligjor për të përcaktuar nëse 33-vjeçari ishte në gjendje të kuptonte natyrën dhe pasojat ligjore të veprimeve të tij në momentin e arrestimit.
Avokati Aziz Emre Yilmaz ka deklaruar se rrethanat e rekrutimit të tij, autizmi dhe cenueshmëria ndaj manipulimit duhet të shqyrtohen me kujdes nga autoritetet turke.
Sipas mbrojtjes, Malletier mund të përballet me një dënim që nis nga 20 vite burg nëse shpallet fajtor për importimin e lëndëve narkotike, ose nga 10 vite nëse vepra cilësohet si transportim i tyre. Autoritetet po shqyrtojnë nëse Turqia ishte destinacioni përfundimtar apo vetëm një pikë tranziti gjatë udhëtimit.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme britanike konfirmoi për “Daily Mail” se po ofron mbështetje konsullore për shtetasin britanik dhe është në kontakt me autoritetet vendase.
Familja ka shpenzuar deri më tani rreth 15 mijë paund për çështjen ligjore dhe udhëtimet në Turqi për ta vizituar.
Top Channel