Në nisje të punimeve të Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit në Ohër, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një takim me Presidenten e re të Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula. Begaj e uroi Presidenten Shiroka-Pula për detyrën e re, duke shprehur besimin se eksperienca e saj akademike dhe profili i saj politik dhe njerëzor do të kontribuojnë në përfaqësimin me dinjitet të Kosovës dhe në forcimin e institucioneve të saj. Kreu i shtetit u shpreh gjithashtu se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë bashkë për të çuar përpara agjendën e përbashkët kombëtare, me anëtarësimin në Bashkimin Evropian si një nga objektivat kryesorë. Ai theksoi se të dy presidentët duhet të jenë bashkë si faktorë përbashkues dhe përfaqësues dinjitozë të shqiptarëve, duke promovuar vlerat, interesat dhe aspiratat e tyre në hapësirën ndërkombëtare. Për sa i përket procesit të integrimit evropian, Presidenti Begaj deklaroi se Kosova meriton një qasje të re nga Bashkimi Evropian, duke siguruar se Shqipëria do të vijojë të mbështesë me vendosmëri dhënien e statusit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit. Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë. Presidenti Begaj përcolli mbështetjen e plotë të Shqipërisë për hapat ligjorë të autoriteteve të Kosovës, të drejtën kushtetuese për nismat ligjore mbi Dhomat e Specializuara dhe në konsultim me partnerët.