Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos foli edhe për protestat dhe bëri thirrje për dialog. Ajo shprehu besimin se Shqipëria mund t’i përmbushë objektivat e integrimit dhe teksa uroi shqiptarët për Ditën e Pavarësisë, kujtoi rrugën që ka kaluar Shqipëria deri më sot në rrugën drejt BE.
“Udhërrëfyesit që kemi përgatitur janë shenjë e besimit tonë se Shqipëria mund t’i arrijë këto rezultate. Por është edhe përgjegjësia jonë ta bëjmë punën tonë. Që nga dita kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat, detyra jonë është ta ndihmojmë.
Situata gjeopolitike është e tensionuar, por kjo e ka shtyrë përpara procesin e zgjerimit. Vendet kandidate, Komisioni Europian dhe shtetet anëtare janë si brinjët e një trekëndëshi. Ne duam të punojmë për t’i ndihmuar vendet kandidate dhe për t’ua bërë të mundur transformimin e shoqërive dhe të ekonomive të tyre.
Rruga para nuk është e lehtë, por sa kohë që diskutojmë edhe vështirësitë, edhe çështjet që dalin nga protestuesit dhe përfaqësues të shoqërisë civile, dialogu është ai që duhet të ekzistojë.
Ju keni përpara 28 Nëntorin. Gëzuar Pavarësinë të gjithë shqiptarëve! Kur flasim për ditë të rëndësishme në kalendarët e vendeve tona, të mos harrojmë rrugën që ka bërë Shqipëria, nga një vend i izoluar deri aty ku është sot. Sa shumë energji mund të krijohet kur qytetarët e një vendi besojnë tek e ardhmja e tyre europiane dhe qeveria ndjek dëshirën e tyre.
Keni arritur shumë. Jeni anëtarë të NATO-s dhe jeni në rrugën për t’u bërë pjesë e BE-së. Keni zënë vendin tuaj në komunitetin ndërkombëtar pas një periudhe kur ishit tërësisht të izoluar. Keni zënë vend edhe në hartën botërore të turizmit”, tha Kos.
Lajmi kryesor:
Plani i Rritjes/ Shqipëria edhe 185,6 mln € për reformat! Kos: Anëtarë të BE-së deri në 2030! Rama: Rama: 2027-a viti ynë, jemi më afër se kurrë (VIDEO)





