Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, mori pjesë sot në Samitin e Brdo-Brijunit, i zhvilluar në Ohër.
Gjatë këtij takimi, ajo mbajti fjalimin e mëposhtëm para përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse:
Të lidhura
None found
Është një nder dhe kënaqësi e veçantë të marr pjesë për herë të parë në Procesin Brdo-Brijuni, pas zgjedhjes sime Presidente e Republikës së Kosovës, muajin e kaluar.
Projekti evropian u krijua mbi vullnetin për të kapërcyer ndasitë historike dhe për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur te paqja, bashkëpunimi dhe solidariteti. Kjo frymë mbetet po aq e domosdoshme edhe për Ballkanin Perëndimor.
Procesi Brdo-Brijuni na jep mundësinë të ritheksojmë se perspektiva e rajonit tonë varet nga bashkëpunimi mes nesh dhe nga integrimi në Bashkimin Evropian.
Marrëdhëniet rajonale duhet të bazohen te respekti, barazia, përgjegjësia dhe, mbi të gjitha, besimi i ndërsjellë. Trajtimi si të barabartë mes të barabartësh përbën një shprehje të respektit ndaj shteteve dhe popujve.
Gjatë Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të mbajtur më 16 nëntor në Bruksel, u diskutua e ardhmja evropiane e rajonit, ndërsa Kosova nuk u ftua të merrte pjesë. Në atë aktivitet u interpretua gjithashtu një këngë nacionaliste, e cila vë në dyshim shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Është paradoksale që në një veprimtari të përqendruar te zgjerimi dhe vlerat evropiane Kosovës t’i mohohet përfaqësimi institucional, ndërkohë që lejohen mesazhe që cenojnë realitetin e saj shtetëror.
Bashkimi Evropian nuk mund ta ndërtojë unitetin duke toleruar simbole dhe praktika që ushqejnë ndarjet, dhe as nuk mund ta trajtojë këtë çështje vetëm përmes një distancimi formal.
Një Ballkan Perëndimor më i integruar do të thotë një Evropë më e fuqishme. Procesi i integrimit nuk mund të zbatohet në mënyrë selektive. Të gjitha vendet duhet të ecin paralelisht drejt anëtarësimit, duke u vlerësuar sipas meritave dhe kritereve, pa lënë asnjë prej tyre pas.
Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar, por barazi, respekt dhe drejtësi. Integrimi evropian përbën një zgjedhje strategjike dhe një orientim të qartë shtetëror për vendin. Zvarritja e këtij procesi dhe mungesa e përparimit drejt marrjes së statusit të vendit kandidat po dëmtojnë besimin e qytetarëve të Kosovës, si dhe besimin në perspektivën evropiane të rajonit.
Kosova ka përmbushur detyrimet e saj dhe pret që të integrohet mbi bazën e meritave dhe të kritereve të njëjta për të gjithë.
Efektet e integrimit evropian duhet të jenë të dukshme edhe në përditshmërinë e qytetarëve. Heqja e tarifave të roamingut mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor do të përbënte një hap konkret për lehtësimin e komunikimit ndërmjet njerëzve dhe bizneseve.
Po ashtu, duhet të përshpejtojmë integrimin ekonomik të rajonit. Plani i Rritjes krijon mundësi për reforma, investime dhe hapjen e vendeve të reja të punës, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjitha vendet.
Të nderuar të pranishëm,
Teksa vijojmë rrugëtimin drejt Evropës, po përballemi me një ndryshim të rëndësishëm të mjedisit global të sigurisë. Agresioni i Rusisë në Ukrainë e ka bërë edhe më të nevojshme gatishmërinë parandaluese dhe vepruese. Ne përgatitemi për skenarin më të keq, duke shpresuar që ai të mos ndodhë.
Kosova ka investuar në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, përmes angazhimit në personel, pajisje dhe armatim, me synimin për të garantuar integritetin territorial dhe për t’i vënë këto kapacitete në dispozicion të vendeve aleate.
Jemi të gatshëm të punojmë së bashku me aleatët për të vijuar ndërtimin e një rruge paqeje, në shërbim dhe në interes të të gjithë qytetarëve të rajonit, pa asnjë dallim.
Në përfundim, dua të shpreh gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të pritur takimin e ardhshëm të Procesit Brdo-Brijuni. Për Republikën e Kosovës do të ishte nder t’ju mirëpriste në këtë takim. Besoj se një organizim i tillë do të kontribuonte në forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal, si dhe në konsolidimin e angazhimit tonë të përbashkët për integrimin evropian. Faleminderit!







