Disa klube të Ligës Premier, përmes figurave të tyre kryesore, kërkojnë që pronarët e Manchester Cityt të detyrohen ta shesin klubin si dënim për shkeljet e rregullave financiare, sipas BBC-së.
Drejtues të tri ligave të para angleze i thanë Shërbimit Publik Britanik se një ndëshkim i tillë do të ishte i duhuri për Cityn, i cili u shpall fajtor për shkelje të rregulloreve financiare të Ligës Premier në periudhën 2009-2018, si dhe për mosbashkëpunim me hetimin.
Të lidhura
None found
Vendimi përfundimtar për dënimin nuk është marrë ende nga paneli i pavarur. Opsionet në tryezë përfshijnë gjobë, zbritje pikësh, heqje të titujve të fituar më parë, madje edhe përjashtim nga liga. Manchester City i mohon akuzat dhe ka apeluar vendimin.
Një drejtues, i cili foli në kushte anonimiteti për BBC-në, deklaroi se është pjesë e një grupi klubesh që e shohin të kotë çdo ndëshkim tjetër përveçse shitjes së detyruar të klubit. Ai shtoi se një dënim më i butë do t’i bënte ata të pyesnin veten pse klubet financojnë Autoritetin e Pavarur Rregullator të Futbollit (IFR) në radhë të parë.
Një tjetër drejtues u shpreh se shkelja e rregullave ka dëmtuar besueshmërinë e Ligës Premier dhe se klubet nuk do të arrijnë ta lënë pas këtë skandal nëse pronarët aktualë të Manchester Cityt qëndrojnë në klub.
City u shpall fajtor për fryrje artificiale të të ardhurave dhe fshehje humbjesh në vlerën e mbi një miliard euro, të realizuara përmes kontratave fiktive tregtare. Klubi është në pronësi të Abu Dhabi United Group, një kompani private investimesh e Sheikh Mansour, Zëvendëspresident dhe Zëvendëskryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ekzekutivi anonim zbuloi se Liga Premier u ka kërkuar klubeve të mos shprehin publikisht qëndrimet e tyre për dënimet e mundshme dhe ta lënë procesin të përfundojë.
Megjithatë, disa klube duket se ua kanë bërë të qarta pikëpamjet e tyre përfaqësuesve të organit rregullator në biseda private. I njëjti burim pranoi gjithashtu se disa klube nuk kanë një qëndrim aq të fortë në lidhje me dënimet.
Kërkesa e disa klubeve për një dënim të paprecedentë, siç është shitja e detyruar, do të rrisë presionin mbi kryetarin e organit rregullator, David Kogan.







