Një nga platformat më të rëndësishme dixhitale të ushtrisë amerikane, ku menaxhohen edhe të dhënat mbi rezervat e bombave dhe raketave në mbarë botën, është cenuar nga një sulm kibernetik.
Agjencia Reuters, duke cituar pesë burime të njohura me çështjen, raporton se hakerët kanë depërtuar në Cloud One, platformën qendrore të Forcave Ajrore amerikane.
Ndërhyrja u zbulua gjatë një procesi përmirësimi të sistemit dhe ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në funksionimin e tij. Ende nuk dihet se kush qëndron pas sulmit, deri ku kanë arritur të depërtojnë hakerët dhe nëse kanë vjedhur të dhëna.
Zhvillimi i Cloud One nisi në vitin 2017, me synimin për të bashkuar në një infrastrukturë të vetme shërbimet teknologjike të Forcave Ajrore amerikane. Platforma mbështetet në infrastrukturën e katër gjigantëve të teknologjisë, Microsoft, Amazon, Oracle dhe Alphabet.
Përmes saj funksionojnë dhjetëra aplikacione, nga ato që menaxhojnë pagat dhe të dhënat e personelit deri te sistemet e furnizimit dhe mirëmbajtjes së pajisjeve ushtarake.
Por Cloud One mbështet edhe sisteme me rëndësi strategjike për mbrojtjen amerikane. Njëri prej tyre grumbullon informacion nga radarët e mbrojtjes ajrore dhe burime të tjera të inteligjencës në të gjithë Amerikën e Veriut. Një tjetër gjurmon rezervat e bombave dhe raketave në më shumë se 200 instalime të Forcave Ajrore amerikane në mbarë botën.
“Një depërtim në këtë sistem është një çështje shumë serioze”, i tha Reuters një prej burimeve.
Pas zbulimit të sulmit, janë pezulluar proceset e transferimit të disa aplikacioneve administrative në Cloud One, ndërsa janë bllokuar përditësimet e aplikacioneve që funksionojnë tashmë në platformë. Disa përdoruesve u janë hequr gjithashtu të drejtat e administratorit.
Sipas një prej burimeve të Reuters, hakerët mund të kenë shfrytëzuar një dobësi në programet kompjuterike për të depërtuar në pjesën qendrore që kontrollon funksionimin e platformës.
Për të përcaktuar përmasat e dëmit, hetuesit kanë kërkuar ndihmën e Komandës Kibernetike të Shteteve të Bashkuara.
Të pyetura nga Reuters, Forcat Ajrore amerikane nuk dhanë detaje mbi incidentin.
“Ne nuk komentojmë mbi nivelin e sigurisë, dobësitë apo statusin operacional të rrjeteve dhe sistemeve specifike. Ne vazhdimisht marrim masa të përshtatshme për të mbrojtur informacionin, sistemet dhe aftësitë operative të Departamentit të Forcave Ajrore”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Incidenti pason zbulimin e një sërë sulmesh të tjera kibernetike ndaj institucioneve amerikane, përfshirë FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Thesarit.





Komente
Komento