Kryetari i komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, kërkoi të enjten dorëheqjen e drejtorit të gjimnazit “Hivzi Sylejmani” dhe ndërmarrjen e masave ndaj të gjithë personelit që nuk u paraqit në manifestimin e 28 Nëntorit.
Ai foli nga foltorja e ceremonisë së mbajtur në ambientet e shkollës dhe mungesën e drejtorit e të një pjese të stafit e cilësoi si një formë bojkoti të kësaj date të rëndësishme kombëtare.
Të lidhura
None found
Pjesëmarrja e ulët e mësimdhënësve nxiti pakënaqësinë e kryetarit, i cili vuri në dukje se në këtë aktivitet ishin të pranishëm veteranë e invalidë të luftës, raporton KosovaPress.
“Siç po e vëreni në këtë manifest, salla nuk është e mbushur plot. Konsideroj se gjithë kolektivi që gjendet në këtë shkollë, e që duhet të jetë një numër i caktuar, mospjesëmarrja e tyre është bojkot në këtë datë të madhe të historisë së popullit shqiptar. Nga kjo foltore kërkoj dorëheqjen e drejtorit të kësaj shkolle dhe vërejtje për gjithë personelin e kësaj shkolle… Këtu po shohim veteranë, po shohim invalidë të luftës që gjymtyrët i kanë lënë për këtë vend…. Mungesa e tyre, njerëzve të cilët ish dashtë që gjeneratave të ardhme te ua mësojnë historinë, mungesa e tyre është nënçmim për gjakun e derdhur”, ka thënë Prebreza.
Pas kësaj, ai i është drejtuar drejtorit komunal të Arsimit, duke i kërkuar që të marrë në dorë këtë çështje dhe të ndëshkojë personelin që mungoi në këtë manifestim.
“Dorëheqje mendoj se nuk mjafton, drejtorin e Drejtorisë së Arsimit po e shoh atje. Të lutem drejtor t’i marrësh përgjegjësitë dhe të gjitha masat për këto mungesa të paarsyeshme dhe të panevojshme, të cilat institucionin e komunës dhe gjithë të pranishmit këtu i kanë nënçmuar”, ka deklaruar ai.
Asnjë përgjigje publike nuk është dhënë ende nga drejtori i gjimnazit apo stafi i shkollës në lidhje me këto deklarata.





