Mjekët roje të urgjencës do të përfitojnë pagesa më të larta gjatë vitit 2027, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka nisur punën për riorganizimin e shërbimit përmes ndryshimeve ligjore, digjitalizimit dhe unifikimit të protokolleve.
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, bëri të ditur se ka nisur rishikimi i ligjit që rregullon funksionimin e urgjencës, ndërsa paralelisht po punohet për digjitalizimin e të gjithë shërbimit, me synimin për një reagim më të shpejtë dhe më të koordinuar ndaj rasteve emergjente.
“Rishikimi i organizimit të shërbimit të urgjencës, investimet e mëtejshme në digjitalizim dhe unifikimi i protokolleve të shërbimit janë ndër prioritetet tona për të përmirësuar koordinimin dhe cilësinë e përgjigjes ndaj urgjencave mjekësore”, tha Spahiu.
Gjatë vizitës në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, ministrja njoftoi se në buxhetin e vitit 2027 është parashikuar rritja e pagesave për mjekët roje të urgjencës, në vlerësim të përgjegjësisë dhe punës së tyre në vijën e parë të kujdesit shëndetësor.
“Me buxhetin 2027 rrisim edhe pagesat për mjekët roje të urgjencës, duke vlerësuar profesionalizmin, përgjegjësinë dhe kontributin e tyre në vijën e parë të kujdesit shëndetësor. Janë shumë vite punë, shumë vite sakrificë, organizim, qasje tjetër e urgjencës, por jam e bindur që asnjëherë, sidomos në këtë sektor, nuk mund të themi se ia arritëm dhe nuk kemi nevojë për asgjë”, u shpreh ministrja.
Spahiu pranoi se investimet në autoambulanca nuk janë të mjaftueshme, duke theksuar se nevojiten ndërhyrje edhe në pajisjet dhe kapacitetet e ekipeve mjekësore që u përgjigjen thirrjeve për ndihmë.
“Jemi përpjekur çdo vit që të shtojmë numrin dhe të kemi një buxhet të caktuar për autoambulanca të reja, por e njëjta gjë duhet bërë edhe me ekipet, duhet bërë edhe me pajisjet, pra me çdo gjë që ju e keni të domosdoshme kur shkoni në terren dhe përballeni me një urgjencë që mund të jetë e kategorive të ndryshme”, tha ajo.
Ministrja foli edhe për ngarkesën që pritet të përballojnë ekipet e urgjencës me afrimin e sezonit të gripit, duke nënvizuar nevojën për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimit dhe rritjen e kapaciteteve për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve.