Shiroka Pula takon Milanoviqin: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, prioritet strategjik
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, është takuar me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, në kuadër të Procesit Brdo–Brijuni, që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka Pula ka vlerësuar rolin e Kroacisë në themelimin dhe zhvillimin e kësaj nisme rajonale, si dhe kontributin e saj në mbështetje të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ajo ka theksuar se Procesi Brdo–Brijuni përbën një platformë të rëndësishme për dialog politik, koordinim rajonal dhe avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me ç'rast presidentja ka ritheksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik.
Sipas saj, ky anëtarësim do të kontribuonte në sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm të gjithë rajonit.
Në këtë kontekst, Shiroka Pula ka vlerësuar marrëveshjen trepalëshe të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë, të nënshkruar më 18 mars 2025, si një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe ndërveprueshmërisë.














