Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar emërimin e 15 anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar të Shkencës, të propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Mandati i tyre do të zgjasë katër vjet.
Gjatë paraqitjes së propozimit para deputetëve, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, vuri në dukje se aktivizimi i këtij institucioni është i rëndësishëm për zhvillimin, bashkërendimin dhe përparimin e kërkimit shkencor në vend.
Të lidhura
None found
Ministri sqaroi se përbërja e re mbledh specialistë të fushave të ndryshme akademike e shkencore. Sipas tij, synimi ka qenë përfshirja sa më e gjerë e institucioneve të dijes, përfaqësimi i sektorëve prioritarë të shkencës dhe ruajtja e ekuilibrit gjinor.
Çeku tha gjithashtu se në Këshillin e ri janë përfshirë edhe disa prej anëtarëve të përbërjes së mëparshme, për të garantuar vijimësinë e veprimtarisë së institucionit.
Anëtarët e emëruar dhe fushat përkatëse janë:
Aliriza Arenliu – Psikologji
Arbnora Dushi – Folkloristikë
Armond Daci – Farmakologji
Arven Syla – Energjetikë
Besnik Krasniqi – Ekonomi dhe Ndërmarrësi
Emine Kalaja-Hajdari – Histori
Fetah Podvorica – Elektrokimi
Ibrahim Krasniqi – Ekonomi dhe Menaxhim
Majlinda Bregasi – Gjuhësi
Mentor Alishani – Veterinari
Mihone Kerolli-Mustafa – Inxhinieri Mjedisore
Mimoza Ibrani – Telekomunikacion
Myzafere Krasniqi-Limani – Elektronikë
Tringa Dedi – Pedagogji
Valmir Krasniqi – Matematikë
Këshilli Kombëtar i Shkencës kontribuon në zhvillimin dhe përparimin e kërkimit shkencor, si dhe në përcaktimin e politikave që lidhen me zhvillimin e shkencës në Republikën e Kosovës.





