Friday / November 27 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota

Gjigantët e duhanit drejt një marrëveshjeje prej mbi 34 miliardë dollarësh

Share Share Icon

Aksionet e Japan Tobacco u rritën ndjeshëm të premten, pas raportimeve se prodhuesi japonez i cigareve po shqyrton mundësinë e bashkëpunimit me grupin amerikan Altria për blerjen dhe ndarjen e aktiviteteve të kompanisë britanike Imperial Brands, në një transaksion që mund të renditet ndër më të mëdhenjtë në historinë e industrisë së duhanit. Aksionet e Japan Tobacco e mbyllën seancën me një rritje prej 4.5%, krahasuar me zgjerimin prej 1.7% të indeksit referencë japonez TOPIX.

Aksionet e Imperial Brands ishin rritur me 13.3% të enjten, duke e çuar kapitalizimin e kompanisë britanike në 25.9 miliardë paund, ose rreth 34 miliardë dollarë. Sipas Reuters, Altria ka konfirmuar se po shqyrton një ofertë blerjeje tërësisht në para, në bashkëpunim me një partner që mund të marrë një pjesë të aktiviteteve të grupit britanik.

Japan Tobacco nuk ka komentuar mbi përfshirjen e mundshme në transaksion. Imperial Brands deklaroi se nuk kishte marrë ende ndonjë ofertë dhe se bordi drejtues do të shqyrtonte çdo propozim në interes të aksionerëve. Imperial Brands zotëron marka të njohura ndërkombëtare të cigareve, përfshirë Davidoff, Gauloises dhe Kool, dhe i tregton produktet e saj në më shumë se 100 tregje.

Japan Tobacco, ku qeveria japoneze zotëron 37.6% të aksioneve, ka zgjeruar gjatë viteve të fundit aktivitetin në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në segmentin e cigareve me çmime më të ulëta. Grupi japonez, i cili zotëron markat Camel dhe Benson & Hedges, ka kryer gjithashtu një sërë blerjesh në Afrikë gjatë dekadës së fundit, përfshirë në Etiopi, Egjipt dhe Sudan.

Për Altria, blerja e aktiviteteve ndërkombëtare të Imperial Brands do të përbënte një rikthim në tregjet jashtë Shteteve të Bashkuara, rreth dy dekada pas ndarjes së divizionit ndërkombëtar, nga i cili u krijua Philip Morris International. Altria dhe Japan Tobacco kanë bashkëpunuar më parë, duke krijuar në vitin 2022 një sipërmarrje të përbashkët për zhvillimin e kategorive të reja të produkteve.

Negociatat zhvillohen në një periudhë kur prodhuesit e cigareve po përballen me rënien e konsumit të duhanit tradicional dhe vështirësitë për të kompensuar këtë tkurrje përmes produkteve alternative me nikotinë. Javën e kaluar, Imperial Brands njoftoi planet për shkurtimin e deri në 4,600 vendeve të punës, ose gati një të pestës së punonjësve të grupit.

Nëse realizohet me një çmim mbi kapitalizimin aktual të Imperial Brands, marrëveshja mund të jetë transaksioni i tretë më i madh në historinë e industrisë së duhanit, sipas të dhënave të LSEG. Në bazë të rregullave britanike për blerjen e kompanive, Altria ka afat deri më 24 dhjetor për të paraqitur një ofertë zyrtare ose për t’u tërhequr.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Gjermania dhe Austria kërkojnë që TikTok të kalojë nën pronësi europiane

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Europa po kërkon të marrë kontrollin e operacioneve të TikTok. Gjermania dhe Austria kanë propozuar që ...

3 hours më parë 2 Min Lexim

Norse Atlantic në prag të falimentimit, kompanitë e leasing-ut kërkojnë kthimin e të gjithë avionëve

Kompania ajrore norvegjeze Norse Atlantic Airways po përballet me rrezikun e falimentimit, pasi pronarët e të 12 avionëve të flotës së saj kanë ndë...

3 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!