Gjykata e Posaçme pranoi provat e reja të sjella nga SPAK, në gjyqin me të pandehur Dritan Rexhepin dhe 6 të tjerë, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Bisedat e përfituara nga Sky Ecc, përfshijnë komunikime mes Dritan Rexhepit, Gentian Funiqit, Altin Hajrit dhe Geraldo Martinit në vitin 2020-2021. SPAK deklaroi në gjyq se të pandehurit janë identifikuar përmes kodeve duke komunikuar me njëri tjetrin për ngarkesën e drogës dhe për rrëmbimin e Jan Prengës. Sipas SPAK, të pandehurit flasin me njëri tjetrin në vitin 2020 për rrëmbimin dhe ka mesazhe që i janë dërguar vëllait të Prengës që ndodhej në burg. Sipas organit të akuzës është folur edhe për mundësinë e rrëmbimit të babait të Ndrek Prengës, por kanë rrëmbyer Jan Prengën (vëllanë). Gentian Funiqi ka komunikuar që çështja të hiqej nga SPAK dhe të ndiqej nga një prokurori e zakonshme. Sipas SPAK, bisedat tregojnë që jo vetëm janë të përfshirë në ngjarje, por flasin edhe për motivet, vjedhjen e sasisë së drogës.