Gjatë vitit 2025, referuar Planit Kombëtar, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka identifikuar 12 raste ku qumështi i lopës dhe i deles rezultoi me ngarkesë të lartë të medikamenteve veterinare. Dy kamionë me qumësht deleje dhe 10 mostra të qumështit të deles rezultuan të ngarkuara me acid salicilik, ndërsa një rast i qumështit të të imtave ka rezultuar me ilaçin semikarbazid (SEM). Sipas ligjit të sigurisë ushqimore, niveli i medikamenteve në qumësht apo mish duhet të jetë zero.
“Në fakt, medikamentet veterinare PMV nuk duhet të dalin në qumësht apo mish. Kjo tregon që përdorimi i tyre është bërë pa kriter,” deklarohet në raport. Ndërkohë, nga neglizhenca e inspektorëve të AKU-së dhe të AKVMB-së thuhet se është lënë mënjanë shëndeti i qytetarëve, edhe pse fermeri është kujdesur për shëndetin e gjësë së gjallë.
Raporti nënvizon periudhat e karencës pas përfundimit të mjekimit: “Të gjithë antibiotikët kanë një periudhë të quajtur periudha e karencës, apo e pezullimit të produktit për konsum gjatë periudhës pas përfundimit të mjekimit të kafshëve, ku ka antibiotikë që karencën e kanë nga 24 orë deri në 14 ditë në qumësht apo mish. Ndërsa për antiparazitarët kjo kohë është edhe më e gjatë, 37-40 ditë, dhe pas aplikimit prezenca e tyre mund të gjendet në qumësht.”
Raporti evidenton edhe raste ku qumështi përmbante lëndë qetësuese; për shembull prezenca e ibuprofenit. “Normalisht që përbën rrezikshmëri. Në rastin konkret, që keni ibuprofenin, i bie që keni konsumuar një qumësht me mbetje të tilla,” theksohet.
Mosrespektimi i recetës veterinare dhe mungesa e kontrolleve përbëjnë rrugë për depërtimin e medikamenteve në produktet e përfunduara ushqimore. “Jo të gjitha PMV-të shiten sipas rekomandimit të mjekut veterinar, sepse sot fermeri e ka aksesin ta blejë vetë produktin në farmaci dhe, normalisht, mosnjohja e karencës kontaminon produktin përfundimtar që vjen për konsum human.” Si pasojë, produkte si djathi, gjiza, kosi, gjalpi apo salca e kosit mund të përgatiten nga qumësht me mbetje medikamentesh.
Standardizimi i produkteve me origjinë shtazore dhe siguria ushqimore cilësohen si provimet më të vështira që Shqipëria duhet të kalojë para se të bëhet pjesë e familjes europiane.
