E ardhmja e Armando Brojës mund të jetë në Turqi. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka përfunduar në radarët e Amedspor, skuadrës që drejtohet nga trajneri shqiptar Besnik Hasi dhe që po përgatitet për përforcime në merkaton e janarit.
Sipas mediave turke, drejtuesit e klubit kanë shfaqur interes për shërbimet e 25-vjeçarit dhe po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të tij në formë huazimi nga Burnley. Largimi i sulmuesit Mbaye Diagne ka krijuar nevojën për një alternativë të re në repartin ofensiv, ndërsa Broja shihet si një kandidat për të marrë këtë rol.
Për sulmuesin shqiptar, një transferim i tillë mund të përfaqësojë një mundësi të rëndësishme për të gjetur më shumë hapësira dhe për të rifituar vazhdimësinë në fushën e lojës.
Në rast të kalimit te Amedspor, Broja do të gjente edhe disa emra të njohur shqiptarë, si Ermal Krasniqi dhe Lumbardh Dellova, duke krijuar kështu një prani të konsiderueshme shqiptare në skuadrën turke. Megjithatë, për momentin bëhet fjalë vetëm për interesim të raportuar nga mediat turke.