TIRANË- Pas gazetarëve, edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e rregullores së brendshme të GJKKO-së. Sipas Dhomës së Avokatisë, Gjykata e Posaçme ka tejkaluar kompetencat dhe ka kufizuar në mënyrë joproporcionale të drejtat dhe garancitë kushtetuese.
Dhoma e Avoaktisë kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores deri në vendimmarrjen përfundimtare. Sipas kërkuesve, rreth 22 nene dhe 5 anekse të kësaj rregulloreje janë në kundërshtim me Kushtetutën. Pretendimet kryesore lidhen me tejkalimin e kompetencave të Këshillit të Gjykatës, cenimin e pavarësisë së avokatëve dhe të drejtës për mbrojtje efektive.
Dhoma kundërshton kufizimet për përdorimin e telefonave dhe pajisjeve profesionale, kontrollet fizike të avokatëve dhe materialeve të tyre, si dhe cenimin e konfidencialitetit të komunikimit avokat-klient.
"Shfuqizimin si të papajtueshëm me nenet 4, 5, 7, 11, 15, 16, 17, 18, 22, 30, 31, 35, 36, 41, 42, 49, 116, 117, 118, 119, 122, 124 dhe 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Rregullores së Brendshme “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, miratuar me vendimin nr. 49, datë 17.07.2026 të Këshillit të kësaj Gjykate, e cila ka hyrë në fuqi më 10.09.2026, së bashku me anekset e saj dhe aktin miratues, për shkak të tejkalimit të kufijve të kompetencës normative të organit nxjerrës, cenimit të rezervës kushtetuese të ligjit, mosrespektimit të kërkesave kushtetuese për botimin dhe hyrjen në fuqi të akteve normative, si dhe kufizimit joproporcional të të drejtave dhe garancive kushtetuese të shtjelluara në këtë kërkesë", thuhet në kërkesën e Dhomës së Avokatisë.
Për shkak të rregullores, Dhoma e Avokatisë vendosi të bojkotonte seancat në Gjykatën e Posaçme. Bojkoti, që zgjati afro 50 ditë, u shtri më pas edhe te seancat për masat e sigurisë. Gjatë kësaj kohe, GJKKO-ja gjobiti avokatët që nuk u paraqitën në seanca.
Bojkoti u ndërpre pasi Gjykata Administrative e Apelit pranoi kërkesën e Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion dhe pezulloi vendimet e Dhomës deri në shqyrtimin e padisë në themel. Shoqata argumentoi se bojkoti rrezikonte t’i linte personat e privuar nga liria pa mbrojtje ligjore.
Tanimë në Gjykatën Kushtetuese bëhen dy ankesa ndaj kësaj rregulloreje pasi më herët Gjykatës i është drejtuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.







Komente
Komento