Kush do e marrë bekimin e Berishës? Zbardhen emrat e PD-së për Tiranën
Partia Demokratike ka hyrë në fazën vendimtare të procesit për përzgjedhjen e kandidatit që do të përfaqësojë opozitën në garën për Bashkinë e Tiranës. Degët e PD-së në kryeqytet kanë nisur të paraqesin propozimet e tyre, ndërsa në listë janë përfshirë disa prej figurave më të njohura të opozitës.
Afati i vendosur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, për mbledhjen e emrave është 30 nëntori. Deri në këtë datë, strukturat lokale duhet të përfundojnë propozimet për kandidatët e mundshëm që do të hyjnë në garën për drejtimin e kryeqytetit.
Mes emrave të propozuar nga degët e PD-së është edhe deputetja Jorida Tabaku. Edhe pse ajo ka shprehur më herët se nuk ka ambicie për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, emri i saj është përfshirë në propozimet e disa strukturave të partisë.
Një tjetër emër që po merr mbështetje të konsiderueshme është mjeku dhe deputeti Ilir Alimehmeti. Ai raportohet se gëzon përkrahjen e strukturave demokrate, ndërsa konsiderohet gjithashtu një prej figurave që ka mbështetjen e vetë Sali Berishës për të qenë kandidati zyrtar i PD-së në zgjedhjet vendore.
Në listën e emrave të propozuar figuron edhe Belind Këlliçi, i cili është një tjetër alternativë që një pjesë e demokratëve dëshiron ta shohë sërish në garën për kryeqytetin. Krahas tyre, në propozimet e degëve janë përfshirë edhe Klevis Balliu dhe Ethem Aga.
Procesi i përzgjedhjes nisi në fillim të muajit nëntor, kur Berisha u kërkoi strukturave të partisë të identifikonin dhe propozonin emrat që mund të përfaqësojnë opozitën në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.
Pas përfundimit të afatit të aplikimeve, të hënën pritet të ngrihet një komision seleksionimi me pesë anëtarë. Ky komision do të shqyrtojë dokumentacionin dhe kandidaturat e paraqitura, brenda një periudhe prej 15 ditësh nga mbyllja e procesit.
Emrat që do të kalojnë këtë fazë verifikimi do t’i nënshtrohen më pas miratimit nga Kryesia e Partisë Demokratike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



