Film & Tv

“Focker in Law”: A mjafton një kast i njohur për të ringjallur magjinë e një komedie?!

Filmi “Focker In-Law”, pjesa e katërt e serisë së njohur komike Meet the Parents, rikthehet pas 16 vitesh.

Në këtë film, Greg Focker (Ben Stiller) është tashmë më i moshuar dhe ka marrë disi rolin e ish-vjehrrit të tij, Jack Byrnes (Robert De Niro). Ai bëhet tepër dyshues ndaj të dashurës së djalit të tij, Henry, e cila quhet Olivia (Ariana Grande). Gjithçka zhvillohet gjatë një bashkimi familjar për të festuar 80-vjetorin e Jack-ut.

Greg nuk e pëlqen Olivia-n dhe përpiqet të pengojë fejesën e saj me Henry-n. Për këtë arsye, përfshihet në situata gjithnjë e më absurde, duke arritur deri aty sa të vjedhë unazën e fejesës që Jack ia ka dhuruar nipit të tij. Ndërkohë, një qen gjerman i quajtur Lorenzo e ndjek vazhdimisht Greg-un, duke shkaktuar skena të ekzagjeruara dhe aspak bindëse.

·         Ariana Grande vlerësohet si surpriza më e mirë e filmit. Ajo interpreton Olivia-n me vendosmëri, zgjuarsi dhe humor të thatë, duke arritur të përballojë me sukses aktorë me shumë më tepër përvojë kinematografike.

·         Owen Wilson, që rikthehet në rolin e Kevin Rawley-t, arrin të jetë ndër personazhet më argëtues falë humorit të tij të natyrshëm dhe interpretimit të qetë.

·         Robert De Niro ruan stilin e tij karakteristik, duke e interpretuar Jack-un me një humor të përmbajtur.

·         Eduardo Franco sjell disa momente zbavitëse në rolin e të dashurit të Samantha-s.

Nga ana tjetër, aktorë si Blythe Danner, Teri Polo dhe Beanie Feldstein nuk shfrytëzohen sa duhet, pasi personazhet e tyre kanë pak hapësirë për të kontribuar në histori.

Ariana Grande dhe Owen Wilson janë pikat më të forta të filmit, ndërsa pjesa tjetër mbetet një përpjekje për të ringjallur një formulë komike që duket se është përsëritur disi!

Kritiku e mbyll me një ironi të qartë: nëse do të ketë një film tjetër të kësaj serie, të paktën Ariana Grande duhet të jetë patjetër pjesë e tij.

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.