Gjermania dhe Austria kanë propozuar që aktiviteti i TikTok të kalojë nën pronësi dhe kontroll evropian, duke ngritur shqetësime për sigurinë e të dhënave personale të përdoruesve dhe ndikimin e platformës në opinionin publik.
Propozimi u bë nga ministri gjerman i Kulturës dhe Medias, Wolfram Weimer, dhe sekretari austriak i Shtetit për Dixhitalizimin, Alexander Pröll. Ata argumentojnë se vetëm zbatimi i rregullave evropiane nuk mjafton për të garantuar sigurinë, pasi shqetësimi kryesor lidhet me faktin se kush e kontrollon platformën dhe infrastrukturën e saj teknologjike.
Sipas nismës, pronësia e biznesit evropian të TikTok duhet të kalojë në duart e investitorëve evropianë, ndërsa nën kontrollin e Evropës duhet të jenë edhe algoritmi që rekomandon përmbajtjet, përditësimet e softuerit dhe aksesi në të dhënat e përdoruesve.
Dy zyrtarët synojnë të sigurojnë mbështetjen e vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian për këtë propozim, i cili pritet të diskutohet në mbledhjen e Këshillit të Telekomunikacionit dhe Energjisë në Bruksel më 2 dhjetor.
Nga ana tjetër, TikTok e ka kundërshtuar nismën, duke e cilësuar atë të pabazuar. Kompania argumenton se aktiviteti i saj evropian i nënshtrohet legjislacionit të BE-së dhe se ka investuar 12 miliardë euro në programin Project Clover, që synon mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve evropianë.
Nisma evropiane vjen pas ristrukturimit të aktivitetit të TikTok në SHBA, ku kompania mëmë ByteDance kaloi kontrollin e operacioneve amerikane te një sipërmarrje e përbashkët me shumicë pronësie amerikane.














