Kapet me drogë i burgosuri në burgun e Korçës, procedohet penalisht
Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për 12 të pandehurit e dosjes së njohur si “Plumbi i Artë”, mes tyre Emiljano Shullazi, Astrit Avdyli, Gjergji Cukali, i njohur ndryshe si i “forti” i Myslym Shyrit, dhe Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit të PS Rrahman Rraja, pjesë e dosjes “Revanshi”.
Shullazi dhe Avdyli janë dënuar përfundimisht me nga 10 vite burg, ndërsa Gjergji Cukali me 8 vite, bën me dije gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.
Miri Bruli është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg, por gjykata ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm, pasi koha e kaluar në paraburgim tejkalon masën e dënimit.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur vendimin për 12 të pandehurit, të marrë të pandehur në kuadër të hetimeve të SPAK.
Çështja është gjykuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, me vendimin nr. 77, datë 27.11.2026, ka shpallur fajtorë të pandehurit për veprat penale të përfshira në dosje.
Dënimet për 12 të pandehurit
Astrit Avdyli – 10 vite burgim. Ai është shpallur fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal, armëmbajtje pa leje, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve dhe vepra të tjera penale.
Emiljano Shullazi – 10 vite burgim. Është shpallur fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, pjesëmarrjen dhe organizimin e grupit të strukturuar kriminal, goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen detyrë shtetërore dhe futjen e sendeve të ndaluara në burg.
Naim Stafuka – 5 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Blerim Abazi (alias Blerim Gashi) – 6 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Besian Xhixha – 6 vite e 8 muaj burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e një vrasjeje dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Enver Diva – 6 vite e 8 muaj burgim, për të njëjtat vepra penale.
Robert Laçi – 6 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Gjergji Cukali – 8 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e dy vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Viktor Imeraj (alias Viktor Bajraktari) – 6 vite e 8 muaj burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Satilno Basho – 6 vite burgim, për të njëjtat vepra penale.
Xhelal Rraja – 4 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Miri Bruli – 3 vite e 4 muaj burgim, për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.
Miri Bruli lirohet menjëherë
Një prej vendimeve të gjykatës lidhet me të pandehurin Miri Bruli. Edhe pse u dënua me 3 vite e 4 muaj burgim pas uljes me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar, GJKKO urdhëroi shuarjen e masës së sigurisë “Arrest në burg”.
Sipas vendimit, koha e kaluar në paraburgim nga Bruli është më e madhe se masa e dënimit të caktuar. Për këtë arsye, gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet apo nuk duhet të mbahet i arrestuar, i ndaluar ose i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.
Në vendimin e saj, GJKKO ka përcaktuar që disa prej të dënuarve të vuajnë dënimin në burg të sigurisë së lartë. Për Astrit Avdylin dhe Emiljano Shullazin është caktuar gjithashtu një periudhë sigurie sa kohëzgjatja e plotë e dënimit, gjatë së cilës nuk lejohet përfitimi nga lirimi me kusht.
E njëjta periudhë sigurie është caktuar edhe për Besian Xhixhën, Enver Divën, Gjergji Cukalin, Viktor Imerajn dhe Satilno Bashon. Gjykata ka vendosur gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të një pistolete të markës Glock 17, 34 fishekëve dhe dy krehërve të sekuestruar gjatë kontrollit të banesës së Astrit Avdylit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
Top Channel