Imagjinoni të blini një veturë të re për 60 mijë euro, por vetëm tre vjet më vonë të mund ta shisni për më pak se 17 mijë euro.

Pikërisht një rënie e tillë e vlerës parashikohet për disa modele në tregun britanik, ndërsa një studim i ri tregon se humbësit më të mëdhenj janë pothuajse të gjithë vetura elektrike.


Revista britanike Auto Express ka analizuar të dhënat e kompanisë CDL Vehicle Information Services, duke krahasuar çmimet fillestare të veturave me vlerën e tyre të parashikuar pas tre vjetësh dhe rreth 58 mijë kilometrave të përshkuara.

Rezultatet tregojnë se nëntë nga dhjetë modelet që humbin më shpejt vlerën janë vetura elektrike.

Surpriza më e madhe është Lexus UX 300e, i cili brenda tre vjetësh humbet plot 72,7 për qind të vlerës.

Çmimi mesatar i tij si veturë e re është 61110 euro, ndërsa pas tre vjetësh vlera e parashikuar bie në vetëm 16667 euro.

Kjo përfaqëson një humbje prej 44400 euro.

Dhjetë veturat që humbin më së shumti vlerë:

1. Lexus UX 300e – 72,7 për qind

2. Citroën ë-C4 – 72,3 për qind

3. Opel Astra Electric – 72 për qind

4. Opel Corsa Electric – 71,6 për qind

5. Audi A8 – 70,7 për qind

6. Subaru Solterra – 70,3 për qind

7. Fiat 500e – 69,8 për qind

8. Audi e-tron GT – 69,3 për qind

9. Mercedes EQS – 69 për qind

10. Mercedes EQE – 69 për qind