Kuzhina kineze dhe oud arab drejt UNESCO-s, 62 tradita kulturore në garë për njohje ndërkombëtare

27/11/2026 16:10

Kuzhina tradicionale kineze dhe instrumenti muzikor oud arab pritet t’i shtohen listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, mes 62 nominimeve që do të shqyrtohen gjatë takimit vjetor të organizatës së Kombeve të Bashkuara, që po zhvillohet në Xiamen të Kinës.

Kandidaturat përfshijnë tradita kulinare, muzikore, festive dhe sportive nga vende të ndryshme të botës. Ky proces synon të njohë dhe të mbrojë praktikat kulturore që janë përcjellë ndër breza dhe që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të identitetit të komuniteteve.

Kuzhina kineze, e njohur për larminë e saj dhe përhapjen në mbarë botën, synon të marrë një vend në listën prestigjioze të UNESCO-s, ku janë përfshirë më parë edhe tradita të gastronomisë franceze, japoneze, meksikane dhe italiane.

Dosja e kandidaturës përfshin njohuritë dhe praktikat e popullit kinez në përgatitjen dhe konsumimin e ushqimit. Ajo përfshin teknika të ndryshme gatimi, si prerja me thikë, avullimi dhe fermentimi, përdorimin e enëve tradicionale, si wok-u dhe shkopinjtë, si dhe zakonet që lidhen me vaktet e përditshme dhe festat familjare.

Në dokumentin e paraqitur për UNESCO-n theksohet se tradita kineze e gatimit mbështetet në harmoninë mes njeriut dhe natyrës, ushqimin e shëndetshëm dhe ekuilibrin e pesë shijeve kryesore: të thartës, të ëmblës, të hidhurës, pikantes dhe të kripurës.

Në shqyrtim do të jenë edhe tradita të tjera gastronomike, përfshirë bukën e susamit të Jerusalemit, kaakun e Jerusalemit, bakllavanë dhe salcat tradicionale maja.

Oud arab dhe tradita të përbashkëta mes disa shteteve

Një tjetër kandidaturë me rëndësi është ajo e oud-it, instrumentit tradicional arab me tela, e paraqitur nga 16 vende arabe. Tingulli karakteristik i këtij instrumenti është pjesë e jetës kulturore në rajon dhe shoqëron koncerte, dasma, mbledhje tradicionale dhe produksione filmike.

Këtë vit, të paktën 18 kandidatura janë paraqitur bashkërisht nga disa shtete. Mes tyre janë edhe traditat e vendeve të Azisë Qendrore, si Kazakistani, Kirgistani dhe Taxhikistani, së bashku me Iranin, Azerbajxhanin, Turqinë dhe Mongolinë.

Ukraina, Polonia dhe Lituania kanë bashkuar gjithashtu përpjekjet për të promovuar traditat e tyre të festimeve në prag të Krishtlindjeve. Ndërsa Polonia, Austria dhe Luksemburgu kërkojnë njohjen e festimeve të Ditës së Shën Barbarës, e cila më 4 dhjetor lidhet edhe me traditën e minatorëve.

Katër vende afrikane paraqesin për herë të parë kandidatura

Një tjetër veçori e këtij edicioni është pjesëmarrja për herë të parë e katër shteteve afrikane në procesin e nominimeve.

Lesoto kërkon njohjen e mokorotlo-s, kapelës tradicionale në formë konike që është edhe një simbol i identitetit kombëtar dhe shfaqet në flamurin e vendit.

Sudani i Jugut ka paraqitur ceremoninë tradicionale të varrimit yigga, ndërsa Eswatini synon të promovojë festivalin e lidhur me frutin marula. Tanzania, nga ana tjetër, ka propozuar muzikën singeli, një rrymë muzikore që është bërë pjesë e rëndësishme e kulturës bashkëkohore të vendit.

Në listën e nominimeve përfshihet edhe tenisi i rrugës nga Barbadosi, një sport që lindi në vitet 1930, kur vendi ishte ende koloni britanike. Ai u krijua si përgjigje ndaj përjashtimit të popullsisë së zezë nga klubet tradicionale të tenisit.

Ndeshjet zhvillohen në fusha të improvizuara mbi asfalt ose beton, të shënuara me shkumës. Lojtarët përdorin topa tenisi pa shtresën e zakonshme të feltit, raketa të forta prej druri dhe rrjeta të ulëta. Me kalimin e viteve, kjo praktikë është kthyer në një simbol krenarie dhe rezistence për banorët e Barbadosit.

Sipas të dhënave të UNESCO-s, aktualisht në tri listat e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale janë regjistruar 849 praktika nga 157 vende. Prej tyre, 716 bëjnë pjesë në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, 90 në listën e praktikave që kanë nevojë për mbrojtje urgjente dhe 43 në Regjistrin e Praktikave të Mira të Mbrojtjes.

Top Channel