Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimin për 12 të pandehurit e dosjes “Revanshi”.
Dënimin maksimal, me nga 10 vite burgim, e kanë marrë Astrit Avdyli dhe Emiljano Shullazi, ndërsa për të tjerët janë caktuar 3 deri në 10 vite burgim.
Konkretisht:
-Astrit Avdyli është dënuar me 10 vite burgim, pasi është shpallur fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal, armëmbajtjen pa leje, ndihmën për kalim të paligjshëm të kufijve dhe vepra të tjera penale.
-Emiljano Shullazi është dënuar gjithashtu me 10 vite burgim. Ai është shpallur fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, pjesëmarrjen dhe organizimin e grupit të strukturuar kriminal, goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen detyrë shtetërore dhe futjen e sendeve të ndaluara në burg.
-Naim Stafuka është dënuar me 5 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
-Blerim Abazi, alias Blerim Gashi, është dënuar me 6 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
-Besian Xhixha është dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e një vrasjeje dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
-Enver Diva është dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim, për të njëjtat vepra penale, konkretisht për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e një vrasjeje dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
-Robert Laçi është dënuar me 6 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
-Gjergji Cukali është dënuar me 8 vite burgim, pasi është shpallur fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e dy vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
-Viktor Imeraj, alias Viktor Bajraktari, është dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
-Satilno Basho është dënuar me 6 vite burgim, për të njëjtat vepra penale, sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
-Xhelal Rraja është dënuar me 4 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Ndërsa Miri Bruli është dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim, për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.
Miri Bruli lirohet menjëherë
Pavarësisht dënimit me 3 vite e 4 muaj burgim, GJKKO ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Miri Brulit, duke vendosur shuarjen e masës së sigurisë “Arrest në burg”.
Vendimi erdhi pasi koha që Bruli ka kaluar në paraburgim është më e madhe se masa e dënimit të caktuar. Për këtë arsye, gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet apo nuk duhet të mbahet i arrestuar, i ndaluar ose i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.
Burg i sigurisë së lartë dhe periudhë sigurie për disa prej të dënuarve
Në vendimin e saj, GJKKO ka përcaktuar që disa prej të dënuarve të vuajnë dënimin në burg të sigurisë së lartë.
Për Astrit Avdylin dhe Emiljano Shullazin është caktuar një periudhë sigurie sa kohëzgjatja e plotë e dënimit, gjatë së cilës nuk lejohet përfitimi nga lirimi me kusht.
E njëjta periudhë sigurie është caktuar edhe për Besian Xhixhën, Enver Divën, Gjergji Cukalin, Viktor Imerajn dhe Satilno Bashon.
Gjykata ka vendosur gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të një pistolete të markës Glock 17, 34 fishekëve dhe dy krehërve të sekuestruar gjatë kontrollit të banesës së Astrit Avdylit.
Dosja Revanshi
Dosja “Revanshi” është një prej hetimeve të rëndësishme të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), që çoi në goditjen e shtatë grupeve kriminale në Shqipëri, në maj të vitit 2024. Hetimet zbuluan një rrjet të gjerë bashkëpunimi mes personave të dyshuar për përfshirje në atentate, planifikim vrasjesh dhe aktivitete të tjera kriminale.
Operacioni u mbështet në një pjesë të rëndësishme të provave të siguruara nga zbërthimi i komunikimeve në aplikacionin e koduar Sky ECC. Sipas hetimeve, grupet kishin shtrirje në disa qytete të vendit, mes tyre Tiranë, Durrës, Lezhë, Krujë, Shijak dhe Rrëshen.
Në kuadër të këtij operacioni, SPAK lëshoi urdhër-arreste për dhjetëra persona, ndërsa gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 3 milionë euro cash, flori dhe pasuri të tjera, me një vlerë totale të raportuar rreth 4.5 milionë euro.
Sipas akuzës, një prej episodeve kryesore të hetuara lidhet me planifikimin e vrasjes së Durim dhe Valter Bamit, ku dyshohet se ishin përfshirë Astrit Avdyli, Emiljano Shullazi, Blerim Abazi dhe Naim Stafuka.
Një tjetër episod lidhet me atentatin ndaj Preng Gjinit në Tiranë, për të cilin Besian Xhixha, Enver Diva dhe Robert Laçi akuzoheshin për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes.
Hetimet përfshinë gjithashtu plane të dyshuara për eliminimin e personave të tjerë, mes tyre Ervis Martinaj, Erigers Mihasi dhe Arben Ndoka. Për këto episode, SPAK ka hetuar bashkëpunimin mes grupeve të ndryshme kriminale dhe interesat që dyshohet se qëndronin pas atentateve.
Më 14 shkurt 2025, SPAK paraqiti në GJKKO kërkesën për dërgimin në gjyq të të pandehurve. Më 28 korrik 2025, GJKKO vendosi kalimin e çështjes për gjykim.
Çështja u nda në disa fraksione, ndërsa procesi gjyqësor vijoi për grupe të ndryshme të të pandehurve.













