E premte, 27 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
“Plumbi i Artë”/ GJKKO dënon Shullazin, Avdylin dhe Rrajat, Miri Bruli del i lirë
Lajme

“Plumbi i Artë”/ GJKKO dënon Shullazin, Avdylin dhe Rrajat, Miri Bruli del i lirë

Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për 12 të pandehurit e dosjes së njohur si “Plumbi i Artë”, ku përfshihen emra të njohur të botës së krimit, si Emiljano Shullazi, Astrit Avdyli, Gjergji Cukali dhe Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.

Me vendimin nr. 77, të datës 27 nëntor 2026, trupi gjykues i përbërë nga Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca shpalli fajtorë të pandehurit për veprat penale të përfshira në dosjen e hetuar nga SPAK.

Procesi u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Dënimin më të lartë, nga 10 vite burgim, e morën Emiljano Shullazi dhe Astrit Avdyli. Gjergji Cukali u dënua me 8 vite, ndërsa Xhelal Rraja me 4 vite burgim.

Lista e plotë e dënimeve:

  • Astrit Avdyli – 10 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal, armëmbajtje pa leje, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve dhe vepra të tjera penale.
  • Emiljano Shullazi – 10 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, pjesëmarrjen dhe organizimin e grupit të strukturuar kriminal, goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen detyrë shtetërore dhe futjen e sendeve të ndaluara në burg.
  • Gjergji Cukali – 8 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e dy vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
  • Besian Xhixha – 6 vite e 8 muaj burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e një vrasjeje dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
  • Enver Diva – 6 vite e 8 muaj burgim, për të njëjtat vepra penale.
  • Viktor Imeraj, alias Viktor Bajraktari – 6 vite e 8 muaj burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
  • Blerim Abazi, alias Blerim Gashi – 6 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
  • Robert Laçi – 6 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
  • Satilno Basho – 6 vite burgim, për të njëjtat vepra penale.
  • Naim Stafuka – 5 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
  • Xhelal Rraja – 4 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
  • Miri Bruli – 3 vite e 4 muaj burgim, për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.

Miri Bruli lirohet menjëherë nga paraburgimi

Një prej vendimeve që bie në sy është ai për Miri Brulin. Pavarësisht dënimit me 3 vite e 4 muaj burgim, GJKKO urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm, pasi koha që kishte kaluar në paraburgim ishte më e gjatë se masa e dënimit të caktuar.

Gjykata vendosi shuarjen e masës së sigurisë “Arrest në burg” dhe lirimin e Brulit, me kushtin që ai të mos mbahet në paraburgim apo të mos jetë i ndaluar për ndonjë çështje tjetër penale.

Ndërkohë, për disa prej të dënuarve është përcaktuar vuajtja e dënimit në burg të sigurisë së lartë. Për Astrit Avdylin dhe Emiljano Shullazin, si edhe për Besian Xhixhën, Enver Divën, Gjergji Cukalin, Viktor Imerajn dhe Satilno Bashon, gjykata ka caktuar periudhë sigurie të barabartë me të gjithë kohëzgjatjen e dënimit. Gjatë kësaj periudhe, ata nuk mund të përfitojnë nga lirimi me kusht.

Në kuadër të vendimit, GJKKO urdhëroi gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të një pistolete Glock 17, 34 fishekëve dhe dy krehërve të sekuestruar gjatë kontrollit të banesës së Astrit Avdylit.

Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.