Gazetari Almer Toska, në një intervistë për emisionin «Minuta e Parë» në News24, komentoi protestën kundër qeverisë, situatën politike në vend dhe nevojën për krijimin e një force të re politike që të përfaqësojë qytetarët e zhgënjyer nga partitë aktuale.
Toska u shpreh se shqiptarët kanë thyer frikën, kanë lënë mënjanë hallet personale dhe janë bashkuar për Shqipërinë. Megjithatë, sipas tij, pas 36 vitesh demokraci, qytetarët kanë humbur shpresën dhe besimin te politika. Ai theksoi se shqiptarët janë mjeshtër të egos individuale, por e kanë të vështirë të ndërtojnë një bashkim të qëndrueshëm për interesin kolektiv.
Duke folur për kërkesën për largimin e Edi Ramës, Toska u shpreh se është dakord që kryeministri të largohet nga pushteti, por kjo duhet të ndodhë përmes votës dhe jo dhunës.
«Unë jam dakord që Rama të rrëzohet, por ai duhet të rrëzohet me votë. Tani që qeveria nuk ikën, si do të veprojmë?», u shpreh ai.
Gazetari kritikoi gjithashtu përçarjen e protestës në tri grupime politike, duke e cilësuar këtë si një zhvillim për të ardhur keq. Sipas tij, një pjesë shumë e madhe e shqiptarëve nuk ndihen të përfaqësuar nga asnjë prej subjekteve aktuale politike, ndërsa partitë e vjetra dhe të reja kanë kontribuar në përçarjen e lëvizjes.
Si zgjidhje, Toska propozoi krijimin e një formacioni të ri politik, i cili të mos kontrollohet nga partitë ekzistuese, por të ndërtohet mbi një organizim të ri qytetar. Ai sugjeroi që ky proces të nisë nga studentët, përmes ngritjes së një këshilli studentor, i ngjashëm me strukturat përfaqësuese që funksionojnë në universitete.
Për të argumentuar rëndësinë e bashkimit, Toska iu referua edhe historisë shqiptare, duke përmendur Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe organizimet kombëtare që çuan drejt shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Ai e cilësoi ditën e nesërme si një moment vendimtar për protestën, duke theksuar se qytetarët duhet të kenë një drejtim të qartë dhe një objektiv të përbashkët. Në përfundim, Toska nënvizoi se pushteti nuk mund të rrëzohet me dhunë dhe me gurë, por përmes proceseve demokratike dhe votës.






