Samite, premtime, “shpërblime” për reforma më të shpejta. Studiuesja gjermane Valeska Esch shpjegon pse optimizmi i ri mes BE-së dhe vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor mund të përballet ende me pengesa serioze.
DW: Duket se një dinamikë e re e ka përfshirë procesin e zgjerimi në BEt. Edhe Samiti BE-Ballkani Perëndimor së fundmi në Bruksel u karakterizua nga kjo frymë. Po përjetojmë vërtet një pikë kthese, apo në fund do të përfitojnë vetëm vende si Mali i Zi, ndërsa për shtetet e tjera mbetet kryesisht retorika e njohur?
Kjo varet para së gjithash nga zhvillimet në vendet kandidate. Mali i Zi ka bërë përparimin më të madh në procesin e reformave dhe, sipas Komisionit Evropian, është i gatshëm të mbyllë të gjitha kapitujt e negociatave. Megjithatë, për këtë do të nevojitet miratimi unanim në Këshill, ndërsa Kroacia këmbëngul fillimisht në përmbushjen e një sërë kërkesash dypalëshe. Megjithatë, puna për Traktatin e Anëtarësimit të Malit të Zi tashmë ka nisur. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Mali i Zi do të jetë vendi i parë kandidat që do të mund të bëhet anëtar i BE-së pas anëtarësimit të Kroacisë në vitin 2013. Komisioni ka paraqitur gjithashtu udhërrëfyes për vitin 2027 për Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Megjithatë, gjithçka do të varet nga vazhdimi i reformave në këto vende. Nëse duam të kemi një shans për të respektuar afatin e mundshëm të parashikuar nga Komisioni në udhërrëfyesit e tij, qeveritë e vendeve përkatëse duhet të zbatojnë reformat e nevojshme me ambicien dhe përkushtimin e duhur. Sa u përket vendeve të tjera (të mundshme) kandidate për anëtarësim, Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se është i gatshëm të hartojë udhërrëfyes edhe për to, nëse në këto vende zhvillohet një dinamikë e mjaftueshme reformash.
Shqipëria sidomos ka ambicie të mëdha, ajo synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027. A është realist anëtarësimi në BE në vitin 2029?
Unë e konsideroj vitin 2029 si një objektiv shumë ambicioz, edhe pse Komisioni Evropian ka paraqitur një udhërrëfyes që e konsideron të mundur përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027. Komisioni ka theksuar njëkohësisht se bëhet fjalë për një afat orientues, i cili nuk paragjykon as rezultatin dhe as ritmin e negociatave. Megjithatë, qeverinë e pret ende shumë punë dhe këtë Komisioni e ka bërë të qartë.
Kësaj i shtohet edhe situata politike në vend: polarizimi i fortë midis qeverisë dhe opozitës, si dhe masat gjithnjë e më kufizuese të qeverisë ndaj protestave, sigurisht që nuk ndihmojnë procesin. Nuk duhet të harrojmë se bazat themelore, demokracia dhe shteti ligjor, janë kritere vendimtare në procesin e anëtarësimit. Sipas mendimit tim, qeveria duhet të tregojë shumë kujdes në këtë drejtim. Një stagnim në këto fusha, apo edhe përkeqësimi i situatës, do ta rrezikonte edhe më tej arritjen e këtij objektivi.
Gjithashtu, mosshfuqizimi i ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe mos-heqja e ligjit për investimet strategjike, ashtu siç ka kërkuar Komisioni Evropian, nuk janë shenja pozitive. Madje mund të krijohet përshtypja se qeveria dëshiron të krijojë fakte të kryera përmes projekteve të planifikuara të ndërtimit në zonat e mbrojtura, përpara se këto ligje me gjasë të ndryshohen apo të shfuqizohen në të ardhmen.
Projekte të tilla ndërtimore në zonat e mbrojtura, si për shembull aeroporti i Vlorës, jo vetëm që bien ndesh me legjislacionin evropian për mbrojtjen e mjedisit dhe se shfuqizimi i këtyre ligjeve është një nga kushtet për mbylljen e Kapitullit 27 të negociatave, por ato përbëjnë gjithashtu shkelje të detyrimeve kontraktuale të Shqipërisë si shtet anëtar i Konventës së Bernës. Për më tepër, SPAK po zhvillon hetime që lidhen me transferimin e të drejtave të pronësisë. Të gjitha këto çështje janë të lidhura drejtpërdrejt me sundimin e ligjit dhe, në këtë kontekst, ka disa pikëpyetje.
E-ja premton "shpërblime" në drejtim të integrimit në këmbim të reformave më të shpejta, kjo para anëtarësimit të plotë. A e shkurton kjo rrugën drejt BE-së apo zgjat pritjen?
Çdo formë integrimi para anëtarësimit i afron në fund të fundit vendet kandidate më pranë Bashkimit Evropian, qoftë përmes reformave të nevojshme për realizimin e këtyre hapave integrues dhe afrimit me standardet e BE-së, apo përmes vetë hapave konkretë të integrimit. Nuk duhet të presim mrekulli nga kjo qasje. Bëhet fjalë për shumë hapa të vegjël, por disa prej tyre sjellin përfitime mjaft konkrete.
E rëndësishme është se, dhe këtë BE-ja e ka theksuar vazhdimisht, i ashtuquajturi integrim gradual nuk synon të zëvendësojë anëtarësimin e plotë, përkundrazi. Prandaj, sipas mendimit tim, tani do të jetë vendimtare që zbatimi i reformave në kuadër të procesit të anëtarësimit të shpërblehet me hapa konkretë integrimi. Për këtë arsye, vendet kandidate duhet të shfrytëzojnë dialogët që Komisioni Evropian planifikon të zhvillojë për të bërë të qarta prioritetet e tyre, por më pas duhet të japin edhe rezultatet e kërkuara nëpërmjet reformave përkatëse.
Në përgjithësi, vetë Plani i Rritjes ka treguar tashmë se Komisioni po përpiqet të forcojë parimin e meritës në procesin e anëtarësimit dhe të shpërblejë përparimin që gjatë vetë procesit. Megjithatë, mbetet për t'u parë nëse kjo qasje do të arrijë realisht të rrisë gatishmërinë për reforma në ato vende që deri më tani kanë bërë më pak përparim.
Si do të maten konkretisht këto përparime?
Kjo mbetet ende për t'u përcaktuar në detaje. Megjithatë, ajo që Komisioni Evropian ka theksuar më fort se më parë në komunikimin e tij të fundit mbi zgjerimin është nevoja për një "orientim strategjik” me objektivat e Bashkimit Evropian. Konkretisht, Komisioni ka përmendur deri tani një përafrim gradual me kuadrin e BE-së për sigurinë ekonomike, që përfshin fusha si kontrolli i investimeve të huaja, kontrolli i eksporteve, mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe elementë të tjerë të ngjashëm.
Po ashtu, rol të rëndësishëm në vlerësim do të luajnë edhe themelet e procesit të anëtarësimit, si sundimi i ligjit, funksionimi demokratik i institucioneve, si dhe harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së. Mënyra konkrete se si do të vlerësohen këta faktorë do të varet edhe nga natyra e hapave të veçantë të integrimit që synohen. Një tjetër element i rëndësishëm do të jetë zbatimi i reformave të nevojshme për secilën fushë integrimi, pra përshtatja e legjislacionit dhe praktikave kombëtare me acquis communautaire, trupin ligjor të BE-së. Ka shumë gjasa që përcaktimi i detajuar i kushteve dhe kritereve të bëhet pjesë e dialogëve që Komisioni planifikon të zhvillojë me vendet kandidate gjatë tremujorit të parë të vitit 2027.
BE parashikon një periudhë prove 15-vjeçare pas anëtarësimit dhe kufizime të mundshme të së drejtës së votës: A nuk krijohen me këtë anëtarë të klasit të dytë?
Jam mjaft skeptike ndaj kësaj ideje. Natyrisht, e kuptoj se nga vjen ky debat. Bashkimi Evropian duhet të mbetet funksional edhe me më shumë shtete anëtare, ndërsa në fusha ku vendimet në Këshill kërkojnë unanimitet, kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë që tani. Unë jam gjithashtu një mbështetëse e fortë e mekanizmave më të rreptë mbrojtës kundër regresit në të ashtuquajturat "themele” të BE-së, si demokracia dhe shteti ligjor, në vendet anëtare. Raste të tilla regresi janë parë herë pas here edhe brenda vetë shteteve anëtare. Dhe sigurisht që çështjet e demokracisë dhe të sundimit të ligjit mbeten sfida të rëndësishme edhe për vendet kandidate.
Megjithatë, besoj se këta mekanizma më të fortë mbrojtës duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë ndaj të gjitha shteteve anëtare. Jo vetëm për shkak të parimit të barazisë së shteteve anëtare dhe qytetarëve të tyre, apo sepse nuk dua të nisem automatikisht nga supozimi se anëtarët e rinj do të krijojnë probleme. Por edhe sepse jam e bindur se asnjë shtet anëtar nuk është i imunizuar ndaj prapakthimeve të mundshme. Pikërisht për këtë arsye, mendoj se Bashkimi Evropian ka nevojë për reforma që adresojnë këto çështje në tërësi, si mekanizmat mbrojtës ashtu edhe procedurat e vendimmarrjes. Në vend që të krijohen kategori të ndryshme anëtarësimi, fokusi duhet të jetë te rregulla të qarta dhe të barabarta për të gjithë anëtarët e BE-së.
Zgjerimi varet nga vullneti politik brenda BE-së. Sa të besueshme janë premtimet e sotme, nëse nesër në pushtet vijnë qeveri euroskeptike?
Kjo është e vështirë të parashikohet dhe është një problem që nuk mund të mohohet. Gjithashtu, kjo është një sfidë që mund të prekë jo vetëm politikën e zgjerimit, por edhe shumë fusha të tjera të rëndësishme të politikave evropiane. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk duhet të përpiqemi ta çojmë procesin përpara. Në fund të fundit, nuk ka dobi të mos e provojmë.
Në fund të fundit shtrohet pyetja, se çfarë do të ishte më e rrezikshme për BE-në: një zgjerim i shpejtë apo mungesa e zgjerimit?
Mendoj se do të ishte një sinjal fatal për besueshmërinë e BE-së nëse një vend që përmbush të gjitha kushtet e nevojshme nuk do të pranohej megjithatë në Union. Prandaj shpresoj shumë që shtetet anëtare të BE-së të mbyllin sa më shpejt kapitujt e fundit të negociatave me Malin e Zi dhe të nënshkruajnë marrëveshjen e anëtarësimit vitin e ardhshëm, për ta ratifikuar më pas.
Në të njëjtën kohë, duhet të jemi të sinqertë: një zgjerim i shpejtë nuk do të jetë i mundur për të gjitha vendet kandidate, sepse shumë prej tyre thjesht nuk kanë avancuar mjaftueshëm në reformat e kërkuara. Në shumë raste, gjatë viteve të fundit është bërë shumë pak përparim. Prandaj, shkurtimisht: zgjerim kur vendet kandidate janë të gatshme, patjetër. Por zgjerimi me çdo kusht, kur vendet nuk i përmbushin kriteret e nevojshme, për mendimin tim përbën një rrezik për BE-në. Pikërisht këtu duhet gjetur ekuilibri i duhur.
Shenim: Valeska Esch është studiuese e ftuar në grupin studimor BE/Europa në Fondacionin Gjerman të Shkencës dhe Politikës (SWP). Ajo është e specializuar në fushën studimore mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian, politikat gjermane dhe evropiane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimit të BE-së. Më parë ajo ka punuar si drejtore e Evropës dhe zëvendësdrejtore në Institutin Apen në Berlin. /DW/
© SYRI.net
‘Rama nuk pyet për Kushtetutën’/ Nuri: Qeveria përdori policinë për të dhunuar protestuesit...
Jorida Tabaku: Buxheti 2027, buxhet i pakicës dhe i klientëve të qeverisë, jo i shqiptarëve
Meta: Vendimi i djeshëm i GJKKO për tre personat e pretenduar, që kanë bashkëpunuar me mua ka ZERO vlerë proceduriale