“Më shfrytëzonin që kur isha 11 vjeçe”, 15-vjeçarja në Greqi denoncon prindërit, nëna dyshohet si organizatorja kryesore

27/11/2026 16:26

Një 15-vjeçare në Agrinio të Greqisë ka denoncuar se ishte shfrytëzuar seksualisht që në moshën 11-vjeçare, duke vënë në qendër të akuzave nënën e saj, të cilën e konsideron përgjegjësen kryesore për abuzimin. Në dëshminë e saj para policisë, e mitura ka deklaruar se edhe babai ishte në dijeni të asaj që ndodhte.

Sipas mediave greke, vajza ka identifikuar disa nga personat e akuzuar si burra që kryenin akte seksuale me të kundrejt pagesës. Ajo ka rrëfyer gjithashtu se gjatë kësaj periudhe ishte përballur me dhunë fizike të vazhdueshme nga prindërit.

Prokuroria e Agrinios ka ngritur akuza të rënda ndaj personave të përfshirë, mes tyre trafikim dhe shfrytëzim seksual të të miturës, përdhunim në mënyrë të përsëritur, akte seksuale kundrejt pagesës, bashkëpunim në përdhunim dhe dhunë në familje.

Të dy prindërit përballen me akuza për shfrytëzim seksual dhe dhunë në familje, ndërsa nënës i atribuohet edhe bashkëpunim i drejtpërdrejtë në përdhunim të përsëritur. Një tjetër person akuzohet për shfrytëzim seksual, ndërsa të tjerët dyshohet se kanë kryer akte seksuale me të miturën kundrejt pagesës. Hetimet përfshijnë edhe persona të tjerë ende të paidentifikuar.

Rasti doli në dritë më 22 nëntor, kur vajza vendosi t’i tregonte një banori të fshatit për atë që pretendonte se kishte përjetuar. Ai e nxiti të shkonte në polici dhe e shoqëroi për të bërë denoncimin.

Një ditë më pas, policia kreu një kontroll në banesën e familjes, ku prindërit u arrestuan fillimisht për shkelje të ligjit për lëndët narkotike. Gjatë kontrolleve në banesa të ndryshme u gjetën edhe sasi kanabisi.

Ekzaminimi mjeko-ligjor i 15-vjeçares nuk evidentoi shenja përdhunimi, por ky rezultat nuk përjashton pretendimet e saj për shfrytëzim dhe abuzim seksual.

Top Channel