Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend paketën e saj me propozime për Reformën Zgjedhore. Dokumenti përmban 39 amendamente për Kodin Zgjedhor dhe 20 ndryshime në Kodin Penal.
Një nga propozimet kryesore të demokratëve është kalimi në sistemin proporcional kombëtar me lista 100% të hapura, ku zgjedhësit do të kenë mundësi të votojnë deri në pesë kandidatë nga lista e së njëjtës parti politike.
PD kërkon gjithashtu vendosjen e një pragu kombëtar prej 3% për partitë dhe koalicionet, si dhe rikthimin e koalicioneve parazgjedhore me lista të veçanta.
Ndryshimet e propozuara përfshijnë edhe hapjen e listave për zgjedhjen e këshillave bashkiakë, si dhe masa për të garantuar ndarjen e shtetit nga partitë politike.
Një tjetër pjesë e paketës lidhet me ndalimin e përdorimit të administratës dhe burimeve shtetërore për qëllime elektorale. Demokratët propozojnë gjithashtu sanksione për zyrtarët që përfshihen në shkelje të tilla, deri në humbjen e mandatit për kandidatët që përfitojnë nga përdorimi i burimeve publike.
Depozitimi i propozimeve vjen në ditët e fundit të mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili përfundon më 30 nëntor.
Krahas dorëzimit të paketës, PD ka kërkuar edhe shtyrjen me 2-3 muaj të afatit të punës së komisionit, me argumentin se diskutimet për ndryshimet zgjedhore duhet të vijojnë.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë













