Manchester United ka aktivizuar opsionin për vazhdimin e kontratës së Bruno Fernandesit, duke e mbajtur kapitenin portugez në “Old Trafford” deri në mesin e vitit 2028, ka raportuar gazetari i njohur i transferimeve, Fabrizio Romano.

Kontrata aktuale e mesfushorit 32-vjeçar skadonte në verën e vitit 2027 dhe përfshinte një mundësi për vazhdimin e saj edhe për një sezon tjetër. Manchester United kishte kohë deri në fund të dhjetorit për ta aktivizuar këtë klauzolë, por ka vendosur ta bëjë këtë më herët.


Sipas Romanos, vendimi i klubit anglez lidhet kryesisht me aspektin financiar. United dëshiron të shmangë mundësinë që Fernandes të largohet si lojtar i lirë verën e ardhshme, në rast se palët nuk arrijnë marrëveshje për një kontratë të re.

Klubi tashmë i ka ofruar portugezit një marrëveshje afatgjatë, por negociatat kanë mbetur të pezulluara që nga muaji tetor, sipas gazetarit italian.

Megjithatë, aktivizimi i opsionit nuk e përjashton mundësinë e largimit të Fernandesit gjatë verës së ardhshme. Sipas Romanos, kontrata e tij përmban një klauzolë lirimi në vlerë prej rreth 65 milionë eurosh, e cila do të hyjë në fuqi verën e ardhshme.

Muajt në vazhdim do të tregojnë nëse Manchester United do të arrijë ta bindë kapitenin të qëndrojë edhe më gjatë në “Old Trafford”. Planet që drejtuesit e klubit do t’i prezantojnë mesfushorit pritet të kenë rol të rëndësishëm në vendimin e tij.

“Manchester United është mbrojtur me këtë lëvizje që ka bërë sot. Por kjo ka të bëjë kryesisht me kontratën e re, jo me vazhdimin e marrëveshjes aktuale”, ka theksuar Romano./Telegrafi/