Haxhiu takohet me përfaqësueset e strehimoreve, diskutojnë për financimin e tyre
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka takuar përfaqësueset e strehimoreve për viktimat e dhunës në familje, me të cilat ka diskutuar për sfidat, nevojat dhe bashkëpunimin me institucionet qendrore dhe komunale.
Përmes një postimi, Haxhiu ka bërë të ditur se vëmendje të veçantë gjatë takimit i është kushtuar qëndrueshmërisë financiare të strehimoreve dhe mundësisë së kontraktimit shumëvjeçar të shërbimeve që ato ofrojnë.
Ajo ka thënë se në cilësinë e kryetares së Kuvendit do të angazhohet që këto çështje të marrin vëmendjen e duhur në kuadër të punës legjislative dhe mbikëqyrëse të Kuvendit.
Haxhiu ka shprehur mirënjohje për punën e përditshme të strehimoreve dhe përkushtimin e tyre ndaj grave dhe fëmijëve që kanë përjetuar dhunë.















