Bayerni ka konfirmuar zyrtarisht se futbollistit të kombëtares gjermane i është diagnostikuar një dëmtim muskulor në kofshën e djathtë, por nuk ka bërë të ditur se sa do të zgjasë mungesa e tij.

Mediat gjermane raportojnë se Musialën e presin nga katër deri në gjashtë javë rikuperim.

Musiala ka pësuar përsëri dëmtimin që e kishte mbajtur jashtë fushave për gati dy muaj gjatë këtij sezoni.

Ai u rikthye në futboll të premten e kaluar, kur luajti në barazimin 1:1 ndaj Kölnit në kampionat.

Megjithatë, shqetësimet fizike i ndjeu menjëherë pas asaj ndeshjeje, por sipas Sky Sport Deutschland, me dëshirën e tij vendosi të luante edhe kundër Lille në Ligën e Kampionëve.

Musiala qëndroi në fushë për rreth 20 minuta, gjatë të cilave pësoi sërish dëmtimin.

Rezonanca magnetike e kryer të premten në mëngjes konfirmoi çarjen e fibrave muskulore.