Ansambli “Myzeqeja” prezantoi mbrëmjen e 26 nëntorit, në Teatrin “Bylis”, premierën “Myzeqarkë e bukur o”, me 60 artistë në skenë dhe 17 materiale artistike. Shfaqja, e zhvilluar në prag të festave të 28 dhe 29 Nëntorit, u ndoq me entuziazëm nga artdashësit fierakë, të cilët mbushën plot sallën.
Edhe në këtë premierë, ansambli solli materiale të traditës myzeqare, duke i kushtuar një vend të veçantë këngës qytetare fierake, valleve dhe veshjeve karakteristike të krahinës. Programi përfshinte këngë, valle dhe pjesë instrumentale, shumë prej të cilave ishin materiale të reja që pasuruan repertorin e ansamblit.
Një vend të veçantë patën interpretimet e këngëtarëve veteranë të ansamblit, Llazi Dumi dhe Miti Mone, të dy mbi 80 vjeç. Pjesëmarrja e tyre përkrah brezave më të rinj dëshmoi lidhjen e qëndrueshme me ansamblin dhe vijimësinë e traditës së tij. Në program nuk mungoi as kabaja myzeqare, e interpretuar nga klarinetisti virtuoz Barjam Saçma.
Në skenë u ngjitën 35 artistë profesionistë — këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë — së bashku me 25 artistë të vegjël të grupeve zinxhir të ansamblit, të moshës 5 deri në 17 vjeç. Hijeshia e veshjeve tradicionale, eleganca e valltarëve dhe harmonia e lëvizjeve ishin pjesë e prezantimit të valleve myzeqare, të mirëpritura nga publiku.
Bashkimi i artistëve nga mosha 5 në mbi 80 vjeç ishte një nga veçoritë kryesore të kësaj premiere. Krahas pasurimit të repertorit, shfaqja evidentoi punën për përgatitjen e brezit të ri dhe përcjelljen e trashëgimisë muzikore e koreografike myzeqare.
Ky aktivitet, i organizuar nga Bashkia Fier nëpërmjet Drejtorisë së Artit dhe Kulturës, çeli kalendarin festiv të Bashkisë Fier me rastin e festave kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit.











Komente
Komento