Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës një amendament që parashikon rritjen graduale të pagës minimale në Kosovë, deri në 1,000 euro në muaj nga janari i vitit 2029.
Sipas propozimit, rritja do të bëhet në tri faza. Nga janari i vitit 2027 paga minimale do të shkonte në 650 euro, nga janari i vitit 2028 në 825 euro, ndërsa nga janari i vitit 2029 në 1,000 euro.
Rrahmani: niveli aktual nuk përcjell kostot e jetesës
Përmes një postimi në Facebook, Rrahmani ka vlerësuar se rritja e pagës minimale është e domosdoshme, pasi niveli aktual nuk po arrin ta përcjellë rritjen e kostos së jetesës në Kosovë. Deputeti ka rikujtuar se edhe në vitin 2022 kishte propozuar që paga minimale të ishte 500 euro, por atëherë ky propozim ishte konsideruar i paarritshëm nga shumë persona, përfshirë edhe ministrin.
Propozimi i ri, sipas tij, është i realizueshëm dhe i rëndësishëm për ruajtjen e fuqisë punëtore në Kosovë, si dhe për sigurimin e një jete më dinjitoze për punëtorët. Në fund të postimit, deputeti i PDK-së u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve, pavarësisht përkatësisë partiake, që ta mbështesin amendamentin.
"Punëtorët e Kosovës meritojnë të jetojnë me dinjitet nga puna e tyre, jo vetëm të mbijetojnë!", ka shkruar Rrahmani.