Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash për protestën që pritet të zhvillohet nesër në Tiranë. Rreth 2 mijë efektivë do angazhohen në terren për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Protesta është paralajmëruar të nisë në orën 10:00 përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa më pas studentët pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë. Në prag të tubimit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një mbledhje me drejtuesit e strukturave policore, ku janë përcaktuar detyrat dhe masat që do të zbatohen gjatë protestës.
Hita u ka kërkuar efektivëve të ruajnë qetësinë, të shmangin reagimet ndaj provokimeve të mundshme dhe të veprojnë në përputhje me ligjin. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe pikave kufitare me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, pas informacioneve për pjesëmarrjen e mundshme të grupeve nga këto vende në protestën e studentëve.
Strukturat e Antiterrorit dhe Policisë Kufitare do të ushtrojnë kontrolle të detajuara, me qëllim identifikimin e personave që kanë bërë thirrje për dhunë apo që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë publike.
Në gatishmëri do të jenë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, efektivët e repartit “Shqiponja”, si dhe Policia Rrugore. Nën masa të posaçme sigurie do të vendosen Ministria e Arsimit, Kryeministria, Parlamenti dhe selia e Partisë Socialiste. Efektivët do të zbresin në terren që prej orës 07:00 të mëngjesit, ndërsa kufizimet e qarkullimit të automjeteve do të përcaktohen në varësi të lëvizjes së protestuesve.