Pas Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për shfuqizimin e rregullores së brendshme të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO).
Dhoma e Avokatisë pretendon se rregullorja tejkalon kompetencat e organit që e ka miratuar dhe kufizon në mënyrë joproporcionale të drejtat dhe garancitë kushtetuese, veçanërisht ato që lidhen me ushtrimin e profesionit të avokatit dhe të drejtën për mbrojtje efektive.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, avokatët kërkojnë edhe pezullimin e zbatimit të rregullores deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Sipas tyre, rreth 22 nene dhe 5 anekse të aktit janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Kundërshtimet përqendrohen te tejkalimi i kompetencave të Këshillit të Gjykatës, cenimi i pavarësisë së avokatëve, kufizimet për përdorimin e telefonave celularë dhe pajisjeve profesionale në sallën e gjyqit, kontrollet fizike ndaj avokatëve dhe materialeve që ata mbajnë, si dhe te konfidencialiteti i komunikimit mes avokatit dhe klientit.
Në kërkesën e saj, Dhoma Kombëtare e Avokatisë argumenton se rregullorja duhet të shfuqizohet për shkak të tejkalimit të kompetencave normative, cenimit të rezervës kushtetuese të ligjit, mosrespektimit të kërkesave për botimin dhe hyrjen në fuqi të akteve normative, si dhe kufizimit joproporcional të të drejtave kushtetuese.
Për këtë çështje, Dhoma e Avokatisë kishte ndërmarrë më herët edhe një bojkot të seancave në GJKKO, i cili zgjati afro 50 ditë dhe u shtri më pas edhe te seancat për masat e sigurisë. Gjatë periudhës së bojkotit, Gjykata e Posaçme gjobiti avokatët që nuk u paraqitën në seanca.
Bojkoti u ndërpre pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, e cila pranoi kërkesën e Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion për pezullimin e vendimeve të Dhomës deri në shqyrtimin e padisë në themel. Shoqata kishte argumentuar se bojkoti rrezikonte të linte personat e privuar nga liria pa mbrojtje ligjore.
Me kërkesën e Dhomës së Avokatisë, tashmë janë dy çështje të paraqitura në Gjykatën Kushtetuese kundër rregullores së GJKKO-së, pasi më herët edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë kishte kundërshtuar aktin, duke kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së tij.