Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale gjatë një kontrolli fizik ka gjetur drogë në burgun e Korçës gjatë një kontrolli të ushtruar ndaj të burgosurve. Një të dënuari iu gjetën dy paketime me kanabis.

I burgosuri është proceduar penalisht për veprat “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në datën 27.11.2026, Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në bashkëpunim me IEVP Korçë ka ushtruar kontroll për sende të ndaluara, ku gjatë kontrollit fizik të shtetasit të dënuar A.Z, ku i është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sattiva, e ndarë në 2 (dy) porcione.

Nga AMSEVP janë kryer veprimet e para procedurale, në përfundim të të cilave materialet proceduriale u dërguan për veprime të mëtejshme në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, në gjendje të lirë, në ngarkim të të burgosurit shtetasit A.Z për veprat penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit te vendimeve penale” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 324/a dhe 283/1 të Kodit Penal.

AMSEVP inkurajon qytetarët dhe mediat të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së detyrës nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 044 20 40 20, ose duke dërguar email në adresën [email protected].