Mbidozat me kokainë janë urgjencat më të shpeshta në spitalet europiane gjatë vitit 2025.
Raporti i Agjencisë së Bashkimit Evropian për Drogën ka nxjerr në pah se thuajse 15 mijë persona kërkuan ndihmë mjekësore në urgjencë për mbidozë ose helmim akut nga substancat narkotike.
Nga shqyrtimi i rreth 7 mijë rasteve në 45 spitale, në 18 vende të Bashkimit Evropian dhe në Norvegji u pa se kokaina ishte e përfshirë në 32 % të rasteve, e ndjekur nga kanabisi dhe amfetaminat.
Një tjetër shqetësim është përzierja e disa substancave. Vetëm 39 % e pacientëve kishin përdorur një drogë të vetme, ndërsa 23 % kishin kombinuar drogën me alkoolin dhe 38 % kishin përdorur disa substanca njëkohësisht. Rreth 72 % e pacientëve që përfunduan në urgjencë pas përdorimit të ketaminës kishin konsumuar gjithashtu alkool ose një tjetër drogë.
Sipas ekspertëve, kombinimi i substancave mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për komplikacione të rënda. Veçanërisht i rrezikshëm është kombinimi i opioideve me alkoolin dhe qetësuesit, pasi mund të ngadalësojë frymëmarrjen deri në rrezik për jetën.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se 72% e pacientëve ishin meshkuj, ndërsa paraqitjet në urgjencë ishin më të shpeshta gjatë fundjavave.
Ekspertët paralajmërojnë se këto shifra përfaqësojnë vetëm një pjesë të dëmeve nga droga, pasi analiza nuk përfshin personat që humbën jetën nga mbidoza apo ata që morën trajtim jashtë spitaleve.