Ka mbushur arena në Nju Jork e Los Anxhelos, ka miliona ndjekës në mbarë botën dhe këtë fund nëntori ka zgjedhur Tiranën për të zhvilluar tetë shfaqje, të cilat janë shitur. Por ndërsa publiku shqiptar priste të kalonte një pjesë të festave kombëtare me humorin e komedianit amerikano-iranian Max Amini, dy prej shfaqjeve të tij nuk do të zhvillohen sipas kalendarit të parashikuar.
Bëhet fjalë pikërisht për dy shfaqjet e 28 Nëntorit, ditën kur në kryeqytet është paralajmëruar edhe protesta kombëtare kundër qeverisë, e cila në herët e tjera ka përshkallëzuar në akte dhune. .
Organizatorët kanë njoftuar se shfaqjet e kësaj date në Pallatin e Kongreseve do të zhvendosen për më 30 nëntor, duke përmendur si arsye situatën në Tiranë.
Ardhja e Amini-t në Shqipëri nuk është një ngjarje e zakonshme për kalendarin artistik të kryeqytetit.
Me mbi 25 milionë ndjekës në rrjetet sociale, komediani amerikano-iranian është një nga emrat e njohur të skenës ndërkombëtare të stand-up comedy. Ai është artisti i parë amerikano-iranian që ka qenë protagonisti kryesor i një shfaqjeje në Madison Square Garden, një prej arenave më prestigjioze në botë.
Vetëm gjatë vitit 2025, turneu i tij përfshiu 19 shtete, 60 qytete dhe 150 shfaqje me të gjitha biletat e shitura. Humori i tij, i mbështetur në improvizimin, komunikimin me publikun, dallimet kulturore dhe situatat e përditshme, ka tërhequr spektatorë nga kultura dhe kombësi të ndryshme.
Edhe në Tiranë interesi duket i jashtëzakonshëm. Në platformën e shitjes së biletave, për shumicën e shfaqjeve njoftohet se kanë mbetur pak vende të lira, ndërsa për 1 dhjetorin është shtuar edhe një shfaqje tjetër.
Tetë shfaqje të një artisti ndërkombëtar brenda pak ditësh janë një tregues i potencialit që ka Tirana për të tërhequr emra të njohur të industrisë së argëtimit dhe për t'u bërë pjesë e kalendarit të turneve të tyre.
Por ndërsa kryeqyteti kërkon të zgjerojë ofertën e tij kulturore, kalendari artistik duhet të marrë parasysh edhe zhvillimet në rrugët e Tiranës. Këtë 28 Nëntor, ndryshimi i axhendës së një artisti ndërkombëtar prek jo vetëm organizatorët, por edhe spektatorët që kishin blerë paraprakisht biletat dhe kishin planifikuar mbrëmjen e tyre festive.
Max Amini do të ngjitet sërish në skenën e Pallatit të Kongreseve. Vetëm se publiku që kishte zgjedhur ta ndiqte në Ditën e Flamurit do të duhet të presë edhe dy ditë.











Komente
Komento