E premte, 27 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Prefektura kthen për rishikim buxhetin e Bashkisë Vlorë për 2027, u miratua para buxhetit të shtetit

Prefektura e Qarkut Vlorë ka kthyer për rishqyrtim buxhetin e Bashkisë Vlorë për vitin 2027. Shkak për këtë vendim është bërë koha kur është miratuar buxheti vendor, përpara miratimit të buxhetit të shtetit për vitin 2027.

Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi, sqaron se kthimi për rishikim nuk lidhet me shumën e parashikuar në buxhet, por me procedurën dhe afatin e miratimit të tij. Sipas saj, buxheti vendor është miratuar përpara se Kuvendi të miratonte buxhetin e shtetit, në kundërshtim me procedurën e parashikuar në legjislacion.

Përmes një shkrese zyrtare të datës 26 nëntor, Prefekti i Qarkut Vlorë ka vlerësuar të paligjshëm vendimin nr. 103, datë 16 nëntor 2026, të Këshillit Bashkiak, për miratimin e buxhetit vjetor 2027 dhe Programit Buxhetor Afatmesëm 2027-2029.

Në dokumentin zyrtar kërkohet që vendimi të kthehet për rishqyrtim, pasi sipas Prefekturës nuk janë respektuar dispozitat ligjore që përcaktojnë procedurën e miratimit të buxheteve vendore.

Tashmë Bashkisë së Vlorës i duhet të rishikojë buxhetin dhe ta rikthejë atë për vijimin e procedurave ligjore të miratimit.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.